Alarmohet PE, Shulc dënon keqtrajtimin e Timoshenkos

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulc ka dënuar ashpër keqtrajtimin që autoritetet ukrainase dyshohet se i bëjnë ish-kryeministres Julia Timoshenko.
“Nëse ajo është rrahur, ashtu siç më është thënë, dhe nëse keqtrajtohet në burg, kjo është turp për vendin”, ka thënë Shulc.
Shulc, i cili pritet të takojë mbrëmjen e sotme në Bruksel zëvendëskryeministrin ukrainas, Valeri Kohoroshkovski, ka thënë se do t`i shprehë atij zhgënjimin e thellë të Parlamentit Evropian me Kievin, në lidhje më trajtimin e Timoshenkos.
Avokati i saj ka thënë se Timoshenko ka nisur grevën e urisë më 20 prill, pasi është rrahur dhe dërguar me forcë në spital për të trajtuar dhimbjet.
Autoritetet ukrainase i kanë hedhur poshtë akuzat.
Timoshenko po vuan dënimin prej shtatë vjetësh burg, për shkak të, siç është thënë, abuzimeve me detyrën zyrtare në kohën kur ishte kryeministre.