Jahjaga: Nuk ka zgjedhje serbe në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se me nisjen e procesit të Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është krijuar një moment i ri për Kosovën në përpjekjet e saj të integrimeve evropiane.
Lidhur me zgjedhjet serbe, ajo deklaroi se institucionet e Republikës së Kosovës janë kundër mbajtjes së çfarëdo zgjedhjeve të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës sepse ato shkelin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
Jahjaga i bëri këto komente në një drekë pune me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar. Në drekën e punës mori pjesë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Jahjaga i njoftoi ambasadorët për krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, si një mekanizëm gjithëpërfshirës, nën udhëheqjen e saj, dhe tha se kjo nismë tregon seriozitetin drejt përmbushjes së vizionit evropian për Kosovën.
Ajo u shpreh se Këshilli ka për qëllim që të ndërtojë një konsensus institucional dhe shoqëror, të rekomandojë veprime konkrete në procesin e integrimeve si dhe të kërkojë angazhimin e nevojshëm për zbatimin e reformave.
Presidentja tha se pret marrjen sa më shpejtë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, të bazuar mbi parimet dhe kriteret e ngjashme me të gjitha vendet e tjera të rajonit si dhe në përputhje me politikat e zgjerimit të BE-së.