E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmohet policia e Tiranës, dy ekspertë zbulojnë misterin

11/12/2009  Çantë misterioze tek “Siri Kodra”

TIRANE- Një çantë që dyshohej se ishte e mbushur me lëndë plasëse ka vënë në alarm policinë e Tiranës. Shumë agjentë si dhe ekspertë antiminë kanë rrethuar vendin pranë rrugës “Siri Kodra”, ku ishte vendosur çanta dhe kanë filluar që t’i afrohen çantës misterioze. Të pajisur me uniforma antiminë, dy specialistë kanë shkuar shumë afër çantës dhe më pas e kanë hapur atë. Ata kanë vënë re se brenda saj nuk ndodhej asnjë lëndë shpërthyese, siç pretendonte policia. Mësohet së në sallën operative të kësaj të fundit kishte mbërritur një telefonatë, ku informonte se një çantë e mbushur me eksploziv, është vendosur pranë murit të një pallati. Ky informacion nuk është neglizhuar nga policia e kryeqytetit, por menjëherë këta të fundit kanë marrë të gjitha masat për zgjidhjen e situatës. Fillimisht në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivët e patrullës së përgjithshme, të cilët kanë bërë lokalizimin e çantës dhe fill pas tyre në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe specialistët e antiterorrit. Pas analizimit dhe hetimit të kësaj çështjeje, drejtuesit e policisë vendosën që nëpërmjet dy ekspertëve antiminë, t’i afrohen çantës, me qëllim zbardhjen e misterit. Sapo është vënë re që në të nuk ndodhej asnjë lëndë shpërthyese, çanta është sekuestruar me qëllim gjetjen e ndonjë gjurme gishtërinjsh. Ndërkohë që policia po heton edhe për identifikimin e telefonatës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›