Alastair Campbell, Takimi me Berishën e Ramën dhe ç’duhet të bëjë Shqipëria për imazhin
Ilva Tare
Të flasim pak për kohën kur punonit me laburistët. Si ishte të punoje me Tony Blair-in?
Ishte bukur. Më pëlqen Tony shumë. Më pëlqente atëherë. E njihja shumë, shumë mirë.
Po tani?
Ai është shumë njerëzor, është një politikan i nivelit të lartë. Ai mund të jetë egoist, ndonjëherë mendon vetëm për veten dhe në projektet e tij ti ndodhesh vetëm sepse duhet ta ndihmosh atë. Ka raste që nuk je dakord me vendimet e tij, por duhet t’i thuash vetes që ai është në majë të pushtetit, unë punoj për të dhe kaq. Por, Tony ka aftësinë t’i kuptojë gjithmonë vlerat e njerëzve të tjerë, ai i respektonte bashkëpunëtorët e tij të çdo niveli, unë do të thoja që ai është një njeri i njerëzve të thjeshtë. Unë jam si ai. Unë preferoj njerëzit, ekipet, të punoj me stafin, dhe së bashku me Tonin ia dolëm të ngrinim një ekip njerëzish të jashtëzakonshëm, që mundësuan atë fitore të madhe më 1997. Mendoj që ne ishim një qeveri e mirë. Dhe pastaj fituam edhe dy palë zgjedhje të tjera. Siç e dëshmojnë edhe ditarët e mi dhe libri i Blair-it, ne patëm uljet dhe ngritjet tona, dhe debate, siç është e kuptueshme, por mund të them se e pëlqeva atë më shumë në fund sesa në fillim.
Si ka qenë takimi juaj i parë me Princeshën Diana? Kam lexuar diku, nga mënyra sesi e përshkruanit, ishte sikur ju të kishit takuar Zotin...
Jo, nuk më kujtohet tamam si Zoti, por ndoshta ju duhet të flisni me partneren time Fiona, sepse ajo mendon që unë jam patetik. Por edhe sot e kësaj dite e kam dobësi kur e kujtoj takimin e parë me të. Ajo kishte një bukuri fizike dhe sharm që ishte magjepsëse dhe, mbi të gjitha, ajo e dinte këtë. Është interesante se kur isha gazetar, unë nuk jam instinktivisht çka mund të quhet një monarkist, mendoj që Mbretëresha ka bërë një punë të shkëlqyer, nuk ka dëshirë të prekshme në Britani për një kalim në sistemin republikan, por unë jam rritur si dikush që nuk i ka për zemër shtresat sociale, mendoj që i mban njerëzit prapa në kohë, dhe kur punoja si gazetar isha shumë kritik ndaj familjes mbretërore, të cilën nuk e kisha takuar kurrë. Kështu që, më në fund e takova në një darkë private me 5-6 vetë, ku ishte edhe Tony Blair. Ishte nata e zgjedhjeve lokale. Unë shkova ta merrja me makinën e tij nga shtëpia në qendër të Londrës. I rashë ziles dhe dikujt që u përgjigj i thashë a mund t’i thuash z.Blair që makina po e pret dhe duhet të ikim në selinë e partisë. U ktheva në makinë, dhe gjëja tjetër që kujtoj ishte një trokitje në xham dhe ishte Diana, që kishte dalë nga makina, sepse donte të më takonte. Ne patëm një bisedë të jashtëzakonshme në mes të rrugës, dhe mbaj mend që ajo tha, sepse për të fotot ishin shumë të rëndësishme, dhe më kujtohet që tha, në bisedën tonë të parë, a nuk do ishte kjo një foto e rrallë, ti dhe unë në mes të rrugës duke folur, ndërkohë kalonin makina pa pushim dhe Tony dhe Cherie, bashkëshortja e tij, po qëndronin në këmbë në një cep. Më vonë e ngacmoja gjithmonë Tonyn, sa në siklet do ketë qenë që gjëja e parë që ajo tha ishte se donte të më takonte mua. I gjori Tony! E gallata si këto… Pati edhe një herë të dytë për darkë. Ajo ishte shumë e zgjuar, jo në kuptimin akademik, por kishte një sharp mind, mëndje të mprehtë. Mendoj se arsyeja pse ishte e interesuar të më njihte mua ishte se e kuptonte se ne kishim një mënyrë të përbashkët të perceptimit të medias dhe mënyrës si funksiononte ajo, si po ndryshonte, Diana ishte shumë e interesuar për këtë aspekt. Ishte e fiksuar pas fotografive. Ndonjëherë shtypi ishte agresiv ndaj saj dhe pasi Diana vdiq, qasja ndryshoi paksa, siç ndodh shpesh me njerëzit kur vdesin. Më kujtohet që ajo më thoshte, ata mund të bëjnë ç’të duan me mua, por ata nuk do arrijnë të më marrin kurrë fotot e mia.
Gjithashtu, kur flisnim përpara fushatave të 1997-ës, Diana thoshte që duhet punuar vërtet, vërtet shumë me fotot, mendoni për fotot. Kur Diana vdiq, e dija që do të ishte një ngjarje me përmasa të jashtëzakonshme, por siç thashë më herët për pikat e forta të Tony-t, më kujtohet që atë natë kur dëgjuam lajmin (falë ditarit që kam mbajtur është regjistruar gjithçka) Toni tha: “Kjo do të jetë një dhimbje dashurie e papërshkrueshme, siç nuk e kemi parë kurrë”.
Çfarë mendoni për aksidentin e saj? Besoni në teoritë konspirative?
Nuk u besoj fare teorive konspirative.
Ishte një aksident fatal?
Them se po. Meqenëse po flisnim për shtypin, kam shkruar një material për hetimet dhe praktikat e medias dhe ishte interesante të shihje sesi media e ktheu fokusin rrufeshëm nga paparacët që e ndiqnin, në rolin që ata patën në atë ngjarje. Unë besoj se ishte një aksident.
Emri juaj është përmendur së fundmi në Kosovë dhe shtypin serb, me kritika për rolin tuaj si këshilltar i kryeministrit Thaçi, i cili, kohët e fundit, është përmendur në një raport të Këshillit të Europës si i përfshirë në krime lufte në Kosovë. Si u përfshitë në atë projekt?
Nëpërmjet British Council. Qeveria e Kosovës kishte kërkuar këshillim dhe komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar ta ndihmojë Kosovën që të forcojë imazhin e një vendi të pavarur. Takova njerëz nga Kombet e Bashkuara atje, ambasadorin amerikan, ambasadorin britanik, British Council dhe sigurisht edhe Qeverinë e Kosovës. Intervistova disa njerëz dhe shkrova një raport për ta. Dhe sërish për mënyrën se çfarë shkruajnë mediat; gazetat angleze publikuan artikuj për këtë, ndërsa media serbe, më duket vetëm një gazetar mori mundimin të më pyeste si ishte e vërteta, por ndërkohë ata i mbushën faqet me shkrime ku thuhej që unë po zhvilloja një fushatë antiserbe për integrimin në BE, ku edhe Cherie ishte e përfshirë, që është një tjetër e pavërtetë. Kishte edhe shkrime për pagesën time, në fillim thanë një çerek milion dollarë, pastaj u bë tre të katërtat milion dollarë; gjithçka ishte imagjinatë. Pra, bëra një vizitë në Kosovë, shkrova një raport, mundet të bashkëpunoj sërish me ta, nuk e di. Të përpiqesh të ndihmosh një vend që ka dalë nga ai konflikt, në të cilin ne luajtëm një rol të konsiderueshëm dhe fakti që ata kërkuan ndihmë për mënyrën sesi të veprojnë me botën e jashtme në lidhje me planet e tyre për t’u zhvilluar, unë nuk kam asnjë problem ta jap këtë ndihmë.
Keni punuar nga afër me Bill Clinton-in. Çfarë përshtypjesh keni për të?
Më pëlqen shumë Bill Clinton. Mendoj që ai ishte njeri i jashtëzakonshëm dhe një President i mirë dhe e admiroj mënyrën sesi, kur flet për aftësi mbijetuese, ai arriti të përballonte gjithçka më së mirë në rastin e skandalit të Monica-s.
Është një hamendësim se Blair dhe Clinton i përkasin një brezi politikanësh të rinj. A mendoni se mund të rikthehen në politikë?
Ata të dy janë në politikë, por jo në politikën e zgjedhur me vota. Tony Blair është i angazhuar me ndërmjetësimin në Lindjen e Mesme, Iniciativa Clinton për qeverisjen është gjigante. Clinton ka një projekt të madh në duar, Blair gjithashtu. Mendoj se fakti që ngjiten në pushtet në moshë të re dhe largohen të rinj nga pushteti nuk i ndalon ata të kenë një jetë politike, por në një mënyrë shumë të ndryshme. Por nuk i shoh të kthehen sërish në politikë aktive të zgjedhur me vota.
Meqenëse po flasim për politikanët në moshe të re, ç’mendoni për Barack Obama-n?
Jam emocionuar kur ai u zgjodh. Bëri një fushatë të shkëlqyer. Ka pasur një detyrë shumë të vështirë, për shkak të ekonomisë, për situatën në Afganistan dhe për natyrën polarizuese të politikës amerikane në këto kohë. Mendoj që e djathta amerikane gjendet në një situatë të pakëndshme, ashtu siç edhe media e djathtë është e tmerrshme. Është një vend i vështirë për të pasur një debat të argumentuar. Shpresoj që ai të fitojë përsëri dhe mendoj që ai mund të fitojë prapë.
Pra, mendoni që ka shans të fitojë sërish?
Pa dyshim. Ka shumë njerëz që thonë se ai nuk ka qeverisur mirë, nuk ka mbajtur premtimet, shpresën që premtoi, por mendoj se ka bërë mjaftueshëm për të marrë besimin e publikut për një mandat të dytë.
Ju patët një mëngjes pune me liderin e opozitës, Rama. Çfarë biseduat me të?
Fola për shumë gjëra me të. Ashtu siç bisedova edhe me Kryeministrin. Folëm për fushatat, politikën britanike, për politikën shqiptare. E kam takuar edhe me parë. E njoh Edin.
Po mendoni të punoni me Ramën, si këshilltar?
Jo, e kam takuar edhe më parë. Unë nuk kam ndonjë kompani të madhe sipas stilit amerikan që merret me fushatat, por unë do flas me të gjithë, jo tamam me të gjithë, por me disa prej tyre.
Po takimi me Kryeministrin, çfarë përshtypjesh ju la?
Pata një takim shumë të mirë me Kryeministrin tuaj. Ai ishte shumë i përkushtuar që të më tregonte të gjitha ndryshimet që qeverisja e tij po bën. Më foli për raportin e Komisionit Europian dhe për faktin sesi sistemi politik në Shqipëri do të dëshironte të bënte më shumë progres. Ishte një bisedë e mirë dhe mbetet midis meje dhe atij.
Sa i rëndësishëm është imazhi i një vendi në botën e sotme?
Folëm edhe për këtë, si me Berishën ashtu dhe me Ramën. Unë mendoj që imazhi i vendit është i rëndësishëm. Mund të jetë i padrejtë ose jo, por besoj se për Shqipërinë imazhi i saj nëpër botë përbën një problem, për shkak të krimit të organizuar. Kam vënë re një tendencë kohët e fundit në Londër, p.sh., në revista e gazeta, sa herë ka shkrime për lidhjet e krimit në Angli flitet për xhamajkanët, apo zona të ndryshme të Britanisë, por gjithmonë do përmendet edhe mafia shqiptare. Dhe, siç po e diskutoja edhe me disa njerëz që takova këtu, duhet të flisni më shumë për artistët e famshëm që keni si soprano të operave, muzikantët. Sa më shumë ta shpërndani mesazhin për turizmin në Shqipëri, siç ishte rasti i guidës së Lonely Planet, që mendoj se duhej të ishte përdorur më shumë si një shembull i suksesit të Shqipërisë, por të flitet edhe për sportin dhe kulturën, sepse jep një panoramë tjetër të vendit. Ndonjëherë vende të ndryshme krijojnë një imazh që është i vështirë të ndryshohet.