Fatura e energjisë “pezull”, shtrenjtohet importi
Drejtori i KESh-it, Engjëll Zeqo, tha dje se, për shkak të mungesës së reshjeve dhe rritjes së kërkesës për energji, edhe në rajon çmimi po rritet me shpejtësi. Fatura mujore e importit të energji pritet të arrijë 100 milionë euro
Importi me sasi të mëdha i energjisë elektrike pritet t’i kushtojë mjaft shtrenjtë qeverisë shqiptare, sidomos në kushtet e një krizë ekonomike në të cilën ndodhet ambienti ekonomik në vend. Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Engjëll Zeqo, tha dje se, për shkak të mungesës së reshjeve dhe rritjes së kërkesës për energji, edhe në rajon çmimi po rritet me shpejtësi, duke e rritur çdo ditë e më shumë faturën. Por nga ana tjetër, prodhimi nga hidrocentralet është në kuota minimale, për shkak të mungesës së reshjeve, ndërkohë që kanë shteruar fondet edhe për import. Zeqo ka pranuar se ka vështirësi sa i takon gjetjes së importit, pasi situata paraqitet problematike për gjithë rajonin. "Për muajin dhjetor kemi lidhur kontratat për të pasur një import së bashku me CEZ rreth 17.5 milion kilovat/orë, ku pjesën më të madhe, rreth 13.5 milionë, sigurohet nga KESh-i. Drejtori i KESh-it ka pohuar se fatura 45 milionë euro e importit të energjisë pritet të arrijë në 100 milionë euro në muaj, ndërkohë që KESh-i tashmë i ka ezauruar të gjitha fondet që kishte siguruar nga eksporti i energjisë një vit më parë dhe gjithashtu të gjitha overdraftet në banka. Tashmë për blerjen e energjisë për muajin në fjalë jepen dy zgjidhje. E para, nëse CEZ shlyen borxhin 55 milionë euro ndaj KESh-it, dhe në rast se jo, qeveria duhet të paguajë në emër të KESh-it. Burimet nga Ministria e Financave kanë pohuar se buxheti i shtetit nuk ka fonde të planifikuara për blerjen e energjisë elektrike këtë vit, por për të lënë situatën të kthehet në emergjente do të marrë borxh nga bankat për blerjen e saj. Kjo skemë do të rrisë deficitin përtej parashikimeve 3,5 për qind, duke shtyrë drejt rrezikut edhe më tej financat publike në këto kohë të vështira që po kalojnë vendet më të zhvilluara se Shqipëria, për shkak të borxheve të larta. Sipas drejtorit të KESh-it i gjithë rajoni është në një krizë prodhimi për shkak të thatësirës. Situata është e vështirë në të gjithë Europën dhe duke qenë e tillë raporti ofertë-kërkesë bën edhe ndryshimin e çmimit. Kreu i KESh-it thotë se kjo nuk e rrezikon furnizimin me energji të vendit, por sjell rritje të faturës që Shqipëria duhet të përballojë. "Ne kemi mbështetje për faturat nga qeveria, për pagesën e faturave të importit, që i takojnë muajve nëntor-dhjetor. Fatura shkon rreth 5-6 miliardë lekë", sqaron Zeqo. Por kriza nuk përfundon me fundin e vitit. Pasiguritë më të mëdha lidhen me vitin tjetër, ku, nëse thatësira vazhdon, KESh-it do t'i nevojiten të tjera financime të mëdha. "Nëse do të marrim këtë nivel çmimesh, nëse do të marrim maksimumin e mundshëm të importit, që ne duhet të bëjmë, kjo kalon në një faturë mbi 100 milionë euro. Ka dy mundësi për të siguruar, nëpërmjet pagesave të CEZ-it dhe mbështetjes se qeverisë për pagesat e këtyre faturave", tha kreu i KESh-it.