Incident me gazetarët e “Alarm” në Drejtorinë e Tatimeve
Tre gazetarë të emisionit “Alarm” denoncojnë dhunën nga punonjës të sigurisë, gjatë kohës që po kërkonin prononcime mbi një investigim
Incident me gazetarët e emisionit “Alarm” në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Paraditen e djeshme, tre gazetarë të Ora News janë paraqitur pranë Tatimeve për të kërkuar informacion në lidhje me një investigim mbi evazionin fiskal në kafenetë e ministrive dhe atë të Kuvendit të Shqipërisë. Stafi i emisionit “Alarm” bën me dije se prej muajsh kishin dërguar kërkesë zyrtare për informacion, pa marrë asnjë përgjigje. Dje, situata agravoi në mënyrë të dhunshme për tre gazetarët Arjana Loçe, Orjon Halili dhe Elio Laze. Ata kanë denoncuar dje se me të mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë dhunuar nga punonjësit e kompanisë private që merrej me sigurinë dhe nga recepsionisti. “Gazetarët Arjana Loçe, Orjon Halili dhe Elio Laze janë gjendur nën breshërinë e sharjeve, fyerjeve, tentativave për të thyer kameran dhe dhunës fizike”,-bëri me dije dje stafi i emisionit “Alarm” në Ora News. Vetëm mbërritja e forcave të rendit ka arritur të qetësojë situatën, pasi janë bërë dhe shoqërimet në komisariat të personave të përfshirë në ngjarje. Gazetarët Elio Laze dhe Orjon Halili kanë bërë deponimet e tyre e më pas Laze ka bërë dhe kallëzim penal për ushtrim dhune dhe fyerje në krye te detyrës. Në lidhje me këtë ngjarje, gazetarët kanë vënë në dijeni dhe përfaqësitë e huaja në vendin tonë, si ambasada amerikane, ambasadori i OSBE dhe të gjithë organizmat e tjerë ndërkombëtarë.