E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alastair Campbell rrëfen kujtimet për Tony Blair

Alastair Campbell është njeriu që për 10 vjet me radhë ka qëndruar në krah të Kryeministrit britanik, Tony Blair, duke u kthyer në zëdhënësin më të famshëm në histori. Campbell që duhet të ishte vetëm përcjellësi i mesazhit, u kthye në protagonistin e ngjarjeve dhe lajmeve të para të televizioneve. Me personalitetin e tij, natyrën arrogante por edhe sharmin e humorin cinik, arriti të konsiderohej nga shtypi anglez si numri dy i qeverisë së Tony Blair, me autoritetin për të marrë vendime dhe komunikuar me ministrat e kabinetit qeveritar si të ishin vartës të tij. Ilva Tare e ka intervistuar këtë personazh kaq të veçantë në emisionin e saj “Tonight” në ‘Ora News’. Pas David Frost-it, gazetarja Tare i sjell publikut shqiptar një nga emrat më të njohur të komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun aktualisht në mbarë botë. Campbell rrëfen eksperiencën si strateg komunikimi i qeverisë ‘Blair’, por edhe peripecitë në komisionin e hetimit të dosjes së Irakut dhe përplasjen me gjigantin britanik BBC. Autori i katër librave të kthyer në bestseller, Campbell do të ndajë me audiencën shqiptare të premten në orën 21:00 në RTV “Ora News”, kujtimet e tij për Tony Blair, si Kryeministri më jetëgjatë laburist në pushtet pas Margaret Thatcher-it. Si ishte të punoje me Tony Blair kur ai ishte udhëheqësi i kancelarive perëndimore që vendosën të bombardonin Millosheviçin për të çliruar Kosovën. Si e ka njohur Campbell Bill Klintonin dhe Barak Obamën, dhe pse shpreson që ai të fitojë një mandat të dytë si president amerikan. I jashtëzakonshëm është rrëfimi i Alastair Campbell për Princeshën Diana dhe përshkrimi i bukurisë së saj fizike e shpirtërore; dashurinë e Dianës për fotografitë dhe median, si dhe mundësinë që Britania do të kishte qenë më e mirë sot nëse Diana do të ishte gjallë. A beson Campbell se aksidenti në Paris i Princeshës Diana ishte i organizuar, apo thjesht një përplasje fatale? Ndiqni intervistën të premten në “Tonight” nga Ilva Tare, ora 21:00, në “Ora News”, për të marrë të gjitha përgjigjet e njeriut që konsiderohet si mbreti i spin-it dhe paguhet bujarisht me miliona për të dhënë leksione e mbajtur seminare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›