Vllaznia, Tirana e Bylis sigurojnë kalimin e turit
Janë luajtur ndeshjet e katërta në grupe për Kupën e Shqipërisë, ku janë prerë edhe biletat e para për çerekfinalet e këtij kompeticioni
Tirana, Vllaznia dhe Bylis janë tri skuadrat e para që kanë prerë një biletë për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në përfundim të ndeshjeve të 4-ta në grup, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë (16 ekipet e kualifikuara nga faza e parë janë ndarë në 4 grupe dhe vetëm 2 të parat kualifikohen), ekipi i Tiranës, së bashku me Vllazninë e Shkodrës dhe ballshjotët e Bylisit, janë të parat ekipe të kualifikuara për turin pasardhës të këtij kompeticioni. Bardheblutë e kryeqytetit, pas fitores, ditën e mërkurë në Fier, ndaj Apolonisë me rezultatin 2-1, jo vetëm që fituan matematikisht të drejtën për të kaluar në turin tjetër, por janë e vetmja skuadër që ka fituar të 4-ta takimet e zhvilluar në grup, ndërkohë që në krahun tjetër, vlen për t`u përmendur, se durrsakët e Teutës, kryesues të superligës nuk arritën më shumë se një barazim pa gola në Kamëz, duke konfirmuar edhe njëherë ecurinë e dobët në këtë kompeticion. Bregdetarët janë në vend të fundit në grup dhe kanë seleksionuar vetëm 2 pikë, çka sjell rrezikim të kualifikimit për ta. Ndërsa, ndeshja me golavarazhin më të lartë, ishte ajo e zhvilluar në Shkodër, ku Dinamo kapitulloi ndaj Vllaznisë me rezultatin e thellë 5-2, duke mbyllur përfundimisht shpresat për një kualifikim të mundshëm në çerekfinale.
Por si është situata në grupe? Në grupin A, Tirana, siç e thamë më lart, ka koleksionuar 12 pikë, 5 më shumë sesa Laçi i vendit të dytë dhe 9 më shumë sesa Apolonia e vendit të tretë. Bardheblutë janë të kualifikuar, por u nevojitet edhe një pikë që ta sigurojë matematikisht edhe vendin e parë në grup. Laçit i duhet të paktën një fitore që të renditet i dyti, ndërsa për Shkumbinin e vendit të fundit nuk ka asnjë shans. Në grupin B, Flamurtari ka 9 pikë, katër më shumë sesa Kamza që mban vendin e dytë. Vlonjatët duhet të fitojë edhe një takim dhe e mbyllin çështjen kualifikim, ndërsa kamzalinjtë janë nën presionin e Pogradecit me 4 pikë dhe Teutës me 3 pikë. Ky është pa dyshim edhe grupi më i luftuar deri më tani. Në grupin C, Besa ka dalë jashtë loje, ndërsa kualifikimin do ta ndajnë Skënderbeu dhe Kastrioti, që kanë nga 9 pikë si dhe Luftëtari që ka 6 pikë. Janë larë hesapet e kualifikimit në grupin D, ku Vllaznia dhe Bylis ndajnë vendin e parë me nga 10 pikë. Kur janë edhe 6 pikë në lojë, dy skuadrat kanë 7 më shumë se Elbasani i pozicionuar i treti me tre pikë. Për shkodranët dhe mallakastriotët beteja është ajo e vendit të parë dhe që do ta ndajnë mes tyre në Ballash.
Grupi A
Laçi – Shkumbini 3-1
Apolonia – Tirana 1-2
Renditja
1.Tirana 12
2.Laçi 7
3.Apolonia 3
4.Shkumbini 1
Grupi B
Flamurtari – Pogradeci 3-0
Kamza – Teuta 0-0
Renditja
1.Flamurtari 9
2.Kamza 5
3.Pogradeci 4
4.Teuta 3
Grupi C
Skënderbeu – Luftëtari 2-0
Besa – Kastrioti 1-3
Renditja
1.Kastrioti 9
2.Skënderbeu 9
3.Luftëtari 6
4.Besa 0
Grupi D
Vllaznia – Dinamo 5-2
Elbasani – Bylis 1-3
Renditja
1.Vllaznia 10
2.Bylis 10
3 Elbasani 3
4 Dinamo 0