Altin Basha, Arsyet pse Salieri im është Fatos Sela dhe jo Ndriçim Xhepa
Historia e gjeniut të keqkuptuar, gjeniut të pavlerësuar “Amadeus” shfaq sonte premierën në Teatrin Kombëtar. Aktorët protagonistë dhe realizuesit e veprës së dramaturgut Peter Schaffer e shohin premierën si një sfidë artistike përballë publikut shqiptar. Një Salier që vjen në interpretimin të Fatos Selës, rol që aktori e konsideron si pikën kulmorë të karrierës së tij, një kulm që ai e kishte ëndërruar, por që siç shprehet vetë, e kishte fjetur mendjen se do të mund ta arrinte me kalimin e viteve dhe me ofertat që rralloheshin gjithnjë e më shumë. Por ja që kurrë nuk duhet thënë kurrë. Mjaftoi një mosadministrim i mirë kohe, një prishje pa arsye subjektive mes regjisorit Altin Basha dhe aktorit Ndriçim Xhepa, që Fatos Selës t’i besohej roli më i bukur dhe më i vështirë i karrierës, roli që ai kishte ëndërruar dhe kishte dëshiruar ta interpretonte një ditë. “Në karrierën e një aktori ka pika (kulme) që ai ëndërron, dëshiron që t’i kapë, por nganjëherë mund të qëllojë që edhe jeta të shuhet pa i kapur dot këto pika kulmore, domethënë të angazhohet që të arrijë kulmin e tij, ashtu si shumë aktorë botërorë. Unë personalisht e kisha fjetur mendjen se mund ta arrija këtë pikë në karrierën time, sepse mosha bën të vetën etj. Prandaj falenderoj shumë regjisorin Altin Basha, i cili pati besim tek unë dhe më ofroi këtë rol kaq të bukur dhe kaq të vështirë, një rol me të cilin maten aktorë botërorë, aktorë që kanë marrë ‘Oskar’, aktorë si Paul Scofield apo Abraham, që mori ‘Oskar’ në filmin me të njëjtin titull”, - shpreh emocionet e tij aktori Fatos Sela. Në fakt, fillimi i punës së projektit “Amadeus” nisi me aktorin Ndriçim Xhepa në rolin e protagonistit Salier, por diçka nuk shkoi mes tij dhe regjisorit Altin Basha. “Unë mendoj se këtu nuk ka vend për thashetheme të natyrës Gosip. Çdo vepër teatrore niset për një arsye. E rëndësishme është që rezultati final të jetë i maksimalizuar. Dhe mendoj se me dy aktorë të nivelit të lartë nuk ka ndonjë ndryshim kur roli është shumë i mirë dhe impenjimi është maksimal. Arsyet e kësaj prishje janë arsye krejtësisht të pavarura nga çështje subjektive. Kishte një problem të administrimit të kohës dhe kjo nuk ka përse të mos ndodhë, qoftë edhe në projekte të tjera. Unë jam mjaft i kënaqur me Salierin-Fatos Sela, jam edhe mjaft i habitur, pasi është hera e parë që punoj me të dhe me një aktor të këtij niveli”, - kaq ka për të thënë regjisori Basha për fillimin e punës me Ndriçim Xhepën si Salier dhe vazhdimin e ngritjen e këtij personazhi me aktorin Fatos Sela.
Salieri, ai që vë në lëvizje gjithë mekanizmat e dramës
“Është bërë një punë e jashtëzakonshme. Salieri është një rol, rreth të cilit lëviz e gjithë vepra. Ka një perceptim mjaft të cekët të historisë së Amadeus-it, pasi nuk mendoj se kjo është historia e thjeshtë mes talentit dhe mediokritetit, por shkon shumë më thellë se kjo. Në këtë vepër, besoj dhe uroj që do të shohim më thellë tek arsyet se përse lind kompleksi i inferioritetit, si përkthehet ky kompleks në një karakter të cekët dhe të dobët siç është Salieri. Do të zbërthejmë mënyrën sesi një qenie e dedikuar ndaj një besimi hyjnor reagon ndaj “tradhtisë” të Zotit, pasi ai zgjedh një tjetër në vend të tij”, - shpjegon regjisori. Sipas tij, vepra është e gjerë edhe nga pikëpamje të tjera, pasi prek raporte të shoqërisë me artistin. “Raporti i shoqërisë me artistin është një nga theksat e rëndësishëm të veprës, madje do të thosha se herë-herë e kam konsideruar nga më të rëndësishmit, pasi Moxart është gjeniu i keqkuptuar, është gjeniu i pavlerësuar, por janë po kaq të rëndësishme edhe raportet e artistit me vetveten. Pra në këtë kuptim, vepra përcjell shumë mesazhe”, - thotë Basha.
Amadeusi në petkun e Marin Orhanasit
Për aktorin Marin Orhanasi, Amadeus do të shënojë një kthesë në karrierën e tij artistike. “Ka qenë një rol vërtet sfidues dhe vazhdon të jetë i tillë deri në momentin e premierës. Ndjehem vërtet i privilegjuar që m’u besua ky rol me këto përmasa e këto dimensione, dhe besoj se ky do të jetë një nga rolet që do të sjellë kthesë në karrierën time. Do isha po aq i lumtur që të dilte dhe premiera po kaq mirë sa kemi bërë dhe në prova. Është një punë që e kemi bërë me pasion dhe me dashuri secili prej nesh”, - tha “Amadeus”-i shqiptar i Teatrit Kombëtar. E sigurisht që vështirësitë në realizimin e këtij roli për një aktor kryesisht humori si Marin Orhanasi, kanë qenë të shumta. “Amadeus është një personazh, që në vepër ndjek në fakt një kurbë normale si çdo personazh i një vepre teatrale. Por Amadeus është një personazh me ulje-ngritje të çuditshme, qoftë dhe për nga karakteri, që do të thotë se për çdo aktor është sfidë që nga një gjendje e jashtëzakonshme të kthehet në një gjendje të zakonshme dhe pastaj të kthehesh në një gjendje tjetër. Këto janë vështirësitë aktoriale që kam hasur unë dhe vazhdoj t’i has deri në ditën e premierës”.
Skenografia, si çelësi i Sol-it
Publiku i zakonshëm i Teatrit Kombëtar do ta kuptojë menjëherë se skena ka hyrë në territorin e tyre, duke u zgjatur deri në rreshtin e parë të sallës. Arsyet, sipas skenografes Iliriana Basha, janë thjesht për të krijuar idenë e një çelësi Sol-i, mbi të cilin ajo ka mbështetur skenografinë e saj për veprën “Amadeus”. Ndërsa për regjisorin Basha ka dhe një arsye më shumë ky “zgjatim” i skenës së Teatrit Kombëtar. “Kjo vepër ka gjithashtu një strukturë teatrore të veçantë që mbështetet mbi retrospektivën, mbi tregimin e personazhit kryesor të ngjarjeve. Është pikërisht ai që na çon në kohë, na vendos në pika të ndryshme të tregimit të historisë së tij dhe Moxartit. Është një vepër e mbështetur edhe mbi raportet me spektatorin, pasi në fillim të veprës unë po tregoj vetëm një detaj, Salieri kërkon që të hapen dritat e sallës sepse do që ta shohë spektatorin në sy, duke e konsideruar atë si fantazmë të së ardhmes. E në këtë kuptim ishte e domosdoshme një afrim më i madh se zakonisht i aktorit me spektatorin. Kështu, përveç detajit dhe konceptit që Iliriana tregoi, ne shfrytëzuam dhe këtë rast për të realizuar edhe këtë pikë të rëndësishme komunikimi mes aktorit dhe spektatorit”, - shpjegon më tej idenë e skenografisë regjisori Basha.
Eni Jani në rolin e Kostancës, është një femër naive që i merr gjërat ashtu si i vijnë në momentin e parë, pa i menduar gjatë. Është natyrë e lirshme dhe kjo është ajo që e ka lidhur me Moxartin, sepse gjejnë veten në natyrat që kanë. Kostanca naive e do Moxartin; gjithmonë ka vepruar duke menduar të mirën e tij, por pa menduar pasojat e veprimeve të saj. Kështu që, pavarësisht dashurisë dhe dëshirës së mirë për ta ndihmuar Moxartin, dashur pa dashur nuk ka qenë ajo femra që duhej t’i qëndronte në krah si një femër dinjitoze Moxartit.