Letrat e profesor Repishtit drejtuar Andre Malraux, vijnë shqip pas 43 vitesh
U promovua dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës libri i profesorit Sami Repishti, “Dialektika e rendit dhe rebelimit tek Andre Malraux”, 43 vjet pasi studenti Repishti i shkruante personalitetit francez mbi regjimin e egër komunist shqiptar.
43 vjet më vonë, në një mjedis akademik si holli i Universitetit Europian të Tiranës, rrethuar me akademikë, kolegë, intelektualë, kjo vepër e akademikut të njohur e të nderuar Sami Repishti, erdhi e përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyesi Fotaq Andrea, i cili e ka shqipëruar gegnisht prej gjuhës frënge. “Dialektika e rendit dhe rebelimit tek Andre Malraux”, e shkruar si një tezë masteri, të cilën Repishti e ka mbrojtur në Queen College of the City University të Nju-Jorkut, në qershor të vitit 1968, sjell letërkëmbimin e gjallë të studentit 43-vjeçar asokohe, i cili kishte hequr në lëkurë të tij të gjitha tmerret e regjimit totalitar, me një prej personaliteteve më të njohur të kulturës franceze, Andre Malraux, të cilit i tregonte hapur mbi tmerret e komunizmit.
Sami Repishti është profesor, personalitet i njohur i bashkësisë shqiptaro-amerikane, i cili ka çuar për vite me radhë para Kongresit Amerikan, Departamentit të Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, zërin e çështjes shqiptaro-kosovare në rrugën e demokracisë.
Vepra u përgatit për 85-vjetorin e profesor Repishtit, por në pamundësi për t’u botuar më shpejt, erdhi dje në duart e lexuesve shqiptarë. “Ai do të kishte kënaqësinë të merrte pjesë vetë në këtë ceremoni promovimi”, - u shpreh përkthyesi Fotaq Andrea, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore dhe të moshës së thyer 86-vjeçare, nuk e pati të mundur të vinte. Megjithatë, me anë të një letre, ai iu drejtua rinisë shqiptare duke i thënë se një e ardhme e ndritur shtrihet para saj”.
Në libër trajtohen dhe analizohen çështje të rëndësishme të inteligjencës franceze, evropiane e botërore të viteve të para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Profesor Romeo Gurakuqi, gjatë promovimit të librit u shpreh: “Libri që promovojmë, i shtohet kontributit që prof. Repishti i ka dhënë publikut shqiptar, si me anë të veprave të tjera studimore, ashtu edhe me anë të mesazheve të vazhdueshme nxitëse të rrugës demokratizuese, emancipuese drejt integrimit në Europë”.
Pas vitesh të tëra torture të egër fizike dhe morale, pas dhjetë vjetësh burgim në regjimin komunist shqiptar, e pas një periudhe të gjatë mbijetese në kampe përqendrimi, studenti Repishti gjendet në Paris në maj të vitit 1968, pikërisht në periudhën kur në kryeqytetin e Francës dhe më tej ziente revolta kulturore, shoqërore e politike kundër shoqërisë tradicionale në vendet perëndimore. Ai është antikomunist i vendosur. Dhe pikërisht në atë periudhë të fundit të viteve ’60, Repishti 43-vjeçar, me bagazh të hidhur përvoje nga sistemi totalitar, i drejton një letër të gjatë Andre Malraux-it, një prej patriarkëve të humanizmit francez të shekullit të XX, emër i nderuar i letërsisë franceze, ministër i Kulturës asokohe. Repishti do të jetë e do të mbetet kështu i pari shqiptar që shkroi për krimet e komunizmit në Shqipëri dhe i dënoi me forcë në letrat drejtuar Malraux-it. “Sami Repishti, një humanist i shquar i kombit tonë, ngre zërin e tij për çështje të mëdha të kombit në institucionet më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është kënaqësi që e kemi këtë libër shqip”, - tha sociologu Fatos Tarifa.
Ndërsa ai që e solli këtë libër në shqip, përkthyer nga gjuha frënge, Fotaq Andrea, u shpreh: “Profesor Repishti është një aktivist i shquar në forumet on line, anëtar nderi i Institutit Alb-Shkenca, person mjaft aktiv, shumë i ri në mendime, në forcën e fjalës, merr pjesë në debate të fuqishme të intelektualëve shqiptarë e të diasporës për çështje madhore të vendit dhe kombit.
Letër e studentit Sami Repishti drejtuar Malraux-it, 27 mars 1968
Gjithë rininë e kam kaluar në vendim tim të lindjes, Shqipëri, ku kam parë tërë skenarët çnjerëzore të tmerrit fashist të Luftës së Dytë Botërore. I ri, pjesëmarrës i Rezistencës, u ndodha më 1945-ën përballë një ideologjie totalitare dhe një qeverie që e quanin “pushteti i popullit”. Realiteti që përjetova dërrmoi tërë shpresat e mia dhe me vullnetin për t’i qëndruar besnik vetvetes, iu kundërvura rendit të ri të vendosur. Më quajtën rebel. E pranova këtë cilësim dhe krejt pasojat rrodhën; dhjetë vjet tortura, burg, kamp përqendrimi dhe punë të detyruar. Më 1959-ën kalova me armë në dorë kufirin.
Zhvlerësimi njerëzor i organizuar nga komunistët në kampet e përqendrimit të Shqipërisë, poshtëroi të burgosur në numër të madh; shumë u vranë, u vetëvranë me mënyra nga më të llahtarshmet. Të jetosh në një kamp përqendrimi është vetë ferri. Të përballosh torturën, të sotmen e të nesërmen, ta përballosh atë çdo ditë që pason dhe këtë për dhjetë vjet me radhë, është në fund të fundit, një agoni më e thellë se ajo e vjedhjes.