AlbPetroli, maxhoranca “ok” shitjes 100%, Opozita: Nuk është momenti
Formula për shitjen e 100 % të aksioneve të AlbPetrolit ka marrë dje 72 votat e mazhorancës. Opozita e cilësoi antikombëtare dhe anti-ekonomike shitjen e kompanisë së nxjerrjes së naftës
Shitja e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjes shtetërore të shfrytëzimit të naftës, AlbPetrol është miratuar dje nga Kuvendi me 72 vota të mazhorancës, me debate të ashpra me përfaqësuesit e opozitës. Deputet socialistë e kanë kundërshtuar formulën me të cilën qeveria po shet një pasuri kombëtare strategjike për ekonominë e vendit, pasi varianti i shitjes 100 për qind aplikohet për herë të parë nga kompanitë strategjike, pasi të tjerat si: Albtelekom, OSSH etj., janë privatizuar me 75 për qind të aksioneve. Ndërsa, deputeti Erion Braçe e quajti antikombëtare dhe anti-ekonomike shitjen e AlbPetrolit. Braçe akuzoi qeverinë se po shet të drejtat e licencat për shfrytëzimin e burimeve të naftës. “Marinzën e keni dhënë ju, Ballshin, Gorishtin e Cakranin i keni dhënë ju. Të drejtat po shiten dhe pa kthim”,- nënvizoi Braçe. Reagim të ashpër pati edhe deputeti tjetër i majtë, Arben Ahmetaj, i cili tha se formula e privatizimit të AlbPetrolit është artificiale dhe korruptive për shkak të vlerës në ndryshim të rezervës dhe kompanisë. “Koha e privatizimit nuk është momenti i duhur. Investitorët potencialë provohen gradualisht. Dhe në fakt kemi investitorë pseudo-strategjikë, ndryshe nga çfarë pretendon strategjia”, - shtoi ai. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, në emër të qeverisë por edhe si ministri përgjegjës për procesin e shitjes, deklaroi se privatizimi 100 për qind i ndërmarrjes u zgjodh si i tillë edhe për shkak se nisur nga eksperienca e deritanishme, ky lloj privatizimi, pra rreth 76 për qind e aksioneve të kompanive shtetërore, nuk ka rezultuar plotësisht i suksesshëm. “Pasi në praktikën e përditshme, në administrimin e pronës publike kemi hasur probleme të shumta dhe nuk kemi arritur të marrim plotësisht dividentin ne në emër të shtetit, apo aksionerët me paketë minorance që kanë përfituar nga privatizimi”, - shtoi ai. Sipas tij, me marrëveshjen e bërë nga socialistët në 2004-ën, u favorizua një kompani e huaj për shfrytëzimin e puseve të naftës dhe u cenua buxheti i shtetit. "Kjo kompani nga 2008-ta ka paguar 90 milionë euro, të cilat kanë kaluar direkt në buxhetin e shtetit. Edhe deputeti socialist, Arben Malaj u deklarua kundër privatizimit të AlbPetrolit. “Jam kundër, sepse po shesim 100% të gjitha pasuritë tona natyrore. Po i shesim në kulmin e urisë për minerale. Vetëm humbjet nga mospërpunimi në vend i naftës shkojnë në 40 milionë dollarë në vit. Pas dhënies me koncesion të zonave naftëmbajtëse, banorët po ndiejnë një shtet të dobët. Teknologjitë e reja po përdoren në mënyrë barbare e po shkatërrojnë ambientin, por edhe jetesën e familjeve”, - tha Malaj, ndërsa renditi sërish parregullsitë në marrëveshjen për shitjen e kompanisë së naftës. Ndërsa deputetja e PS-së, Mimi Kodheli e konsideroi formulën e privatizimit 100% si një tregues se ekonomia është në krizë ose në paqartësi të mëdha.
Asetet e AlbPetrolit
Numri i aksioneve të kompanisë është 10,200,000,
Kapitali 100% shtetëror
Vlerë asetesh rreth 420 milionë euro
AlbPetroli ka një licencë pa afat për shfrytëzimin e disa vendburimeve të naftës.
AlbPetrol sh.a ka një fond prej më pak se 1700 pusesh në prodhim.
Fondi i puseve që kanë ndalur punën, edhe 400
Patos-Marinza shfrytëzohet nga kompanitë "Banker's Petroleum", "Sherwood", "Wek", "Stream oil" etj.
AlbPetroli, 2500 naftëtarë ikin nga puna, trajtohen me pagë 1 vit
Procesi i privatizimit të AlbPetrolit mendohet të finalizohet me shkarkimin e rreth 2500 punonjësve nga rreth 3000 të tillë që janë aktualisht. “Ky projektligj mund të sjellë edhe probleme sociale që lindin pas një privatizimi të një ndërmarrjeje kaq të madhe me rreth 4 mijë punëtorë”, - tha dje Naço në Kuvend. Sipas tij, për këtë arsye në projektligjin e shitjes është parashikuar edhe se si do të bëhet trajtimi i punonjësve të shoqërisë ‘AlbPetrol’ pas privatizimit të saj, me të cilët do të bëhen të gjitha marrëveshjet për kontratën kolektive të punës. Ndërsa në ato raste, që sigurisht do të ketë reformë strukturore, nga të ardhurat e privatizimit punëtorët do të kenë të sigurt në çdo rast pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës. Pak ditë më parë, përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë kanë sqaruar çështjen e statusit të punonjësve të AlbPetrolit edhe pas privatizimit. “Kemi marrë Kodin e Punës dhe çfarë i takon sipas Kodit gjithë punonjësve, shpërblimi për vjetërsi në punë dhe shpërblimi për ristrukturimin deri në një vit dhe shpërblimi për çdo vjetërsi në punë. Mendohet që të jenë rreth 2 500 punonjës me një vlerë rreth 2-3 miliardë lekë të vjetra”, – theksoi Zamir Stefani, përfaqësues i METE-s në komisionin e Ligjeve. Mësohet se tashmë drejtuesit e AlbPetrolit kanë gati listën me 2500 punonjësit e saj që do të pushohen nga puna. Pasi në këtë mënyrë, kompania ka më pak detyrime financiare. Largimi i naftëtarëve të kompanisë është një proces që nuk mund të shmanget në kushtet e vështira financiare që ndodhet kompania. Ndërsa nga ana tjetër, sindikata sugjeron që punëtorët të marrin aksione nga kompania në mënyrë që puna t’u kompensohet nga fitimet e AlbPetrolit. “Ne u kemi sugjeruar që në rastin e privatizimit të naftës dhe gazit të përfshihen punonjësit si aksionerë, duke e blerë aksionin me 50 për qind të vlerës reale të tij, me letra me vlerë të pjesëtarëve të familjeve të naftëtarëve (ky veprim është bërë edhe në Hungari, Rumani dhe në vend, p.sh., Albtelekomi është shprehur disa kohë më parë”, shkruan Sindikata e Naftëtarëve në letrën dërguar Kryeministrit Sali Berisha.