Jaka: Është rritur interesi, të shtyhet amnistia fiskale
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me kërkesë të biznesit anëtar të saj por edhe të të gjitha grupeve të interesit që janë të përfshira në këtë proces, ka bërë zyrtare kërkesën për shtyrjen e ligjit të amnistisë fiskale dhe legalizimit të aseteve. Kjo kërkesë e Dhomës vjen për shkak të mospasjes kohë të mjaftueshme në aplikimin e këtij ligji. Reagimi i sipërmarrjes ka ardhur me vonesë, kjo për shkaqe që ne i kemi evidentuar kohë pas kohe. Ashtu siç dhe pritej, në dy muajt e fundit ka pasur rritje të vetëdeklarimit, kjo për shkak dhe të mentalitetit që ekziston në vendin tonë (lënia për në momentin e fundit) dhe kjo na vë para kërkesës sonë për të kërkuar shtyrjen e aplikimit të këtij ligji, pasi nuk mund të ndërpritet një proces kur ai ka të tilla ritme. Kërkesa jonë për shtyrjen e aplikimit të ligjit dhe efektet e pritshme prej tij, bazohen në disa indikatorë të rëndësishëm të ndeshur gjatë kësaj periudhe. Reagimi i ardhur me vonesë nga sipërmarrësit dhe qytetarët që përfitojnë amnisti dhe legalizimin e aseteve, vjen dhe për shkak të mentalitetit dhe besimit të ndërsjellë që ekziston. Por në dy muajt e fundit, nëntor dhe dhjetor ka pasur një rritje të vetëdeklarimit dhe do të kërkonim që ky proces të mos ndërpritej në këtë fazë, por të vazhdonte të paktën në një hark kohor gjashtëmujor.