Berisha:Lehtësira dhe praktika dixhitale për fasonët
Kryeministri Berisha u ka garantuar sot fasonëve më shumë lehtësira, përfitime nga praktikat dixhitale e gjithçka tjetër për vijimin e aktivitetit dhe sigurimin e tregjeve. Duke folur në forumin “Euratex” Berisha vlerësoi kontributin thelbësor të fasonëve për rritjen e eksporteve, punësimin dhe zhvillimin e vendit.
“Industria fason është një industri e një rëndësie madhore e cila shoqëron Shqipërinë, e cila e ndihmon atë në kalimin e tyre në vendet e zhvilluara. Kjo industri për shqiptarët është edhe zëri kryesor i eksportëve dhe kryesore punësuese. Qeveria është përpjekur të krijojë për ju një ambient sa më miqësor dhe një nga vendimet e fundit ishte heqja e doganave dhe kjo ka qënë një masë e duhur. Qeveria në këtë periudhë krize beson se rruga më e sigurtë për të zbutur pasojat e saj është përmirësimi i kushteve, krijimi i lirive për ju. Jemi të gatshëm të shqyrtojmë mundësi për masa të tëra që do të lehtësojnë barrën, do rrisin kompetivitetin, do ndihmojnë për garantimin e tregjeve” theksoi Berisha.
Sipas kryeministrit Berishame zhvillimet e mëdha që kanë ndodhur në vend, ekonomia shqiptare ia ka dalë të ruajë rritjen ekonomike dhe të mos bjerë në recesion. “Shqipëria është i vetmi vend që në një hark kohor prej 6 vjetësh ka trefishuar eksportet dhe për këtë ka një rol thelbësor edhe industria fason. Shqipëria po punon intensivisht në mënyrë që t`ju krijoj ju lehtësira në përballjen me burokracinë e përditshme. Po punojmë për të krijuar një portal të veçantë për dokumentat që ju dorëzoni në administratën shtetërore dhe do të shqyrtojmë propozimet tuaj për të krijuar kushte” ka theksuar Berisha ndërsa ka shtuar se qeveria është e gatshme të vendosë në dispozicion të fasonëve edhe hapësirat më të mëdha të mundshme dhe trojet publike të cilat ata mund të kenë nevojë për të ngritur fabrikat e tyre.
Ai gjithashtu i bëri thirrje fasonëve të ndërtojnë fabrika edhe në zonat më periferike të vendit pasi sipas tij infrastruktura rrugore është e përshtatshme dhe po kështu edhe krahu i punës. “Unë ju bëj thirrje të shqyrtoni vendosjen e fabrikave edhe në zonat periferike të vendit që do të ishte edhe një përparim në luftën kundër varfërisë” ka theksuar më tej kreu i qeverisë.