Alban Skënderaj dhe Miriam Cani mund të jenë çifti prezantues i festivalit të RTSH-së
Aq shumë e dashurojnë njëri-tjetrin sa nuk mund të ndahen në asnjë çast. Por kësaj here ambicia e tyre është vërtet e madhe. Dy artistët të cilët po jetojnë një bashkëjetesë në Gjermani, ishin një javë më parë në Tiranë, arsyen e vërtetë të së cilës nuk e bënë publike as në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku ishin të ftuar nga Arbana Osmani. Ata pohuan vetëm se kishin ardhur në Tiranë për një projekt të rëndësishëm, ndërsa për “Panorama Plus” Albani pohoi se do të rikthehen sërish në Tiranë nga mesi i dhjetorit për të realizuar projektin që kanë vendosur ta ruajnë të fshehtë. Por burimet tona kanë pohuar se arsyeja pse çifti i këngëtarëve ka qenë në Tiranë, kanë qenë bisedimet me drejtuesit e TVSH-së për të qenë ata prezantuesit e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, një festival që është bërë shumë i lakmuar vitet e fundit, për shkak se këngëtarët synojnë Festivalin Evropian. Thuhet se Albani dhe Miriami kanë marrë një konfirmim nga drejtuesit e RTSH-së, ndërkohë ende nuk është dhënë ndonjë informacion i hapur mediatik nga vetë ata, as dhe për detaje të tjera si pranimi i këngëve të reja, apo cila do të jetë skema e re e festivalit. Ndërsa përsa u përket Albanit dhe Miriamit, kjo eksperiencë do të ishte një arritje për ta, edhe në fushën e spektaklit. Për Albanin kjo do të ishte hera e tij e parë, ndërsa për Miriamin mbase do të ishte më e thjeshtë. Ajo është e mësuar me prezantimin pasi aktualisht është moderatore e një emisioni për të rinj në televizionet gjermane. Njohja e saj me botën e artit atje ka qenë dhe një mbështetje për Albanin, i cili e ka pohuar dhe vetë. Historia e tyre e dashurisë ka nisur në mars të 2007, ku janë njohur në një stacion treni në Gjermani. Ata u përpoqën ta mbanin të fshehtë deri një vit më parë lidhjen, kur vendosën të dilnin për herë të parë në publik në Tiranë. Arsyeja pasi ishin të ftuarit specialë të spektaklit të bukurisë “Miss Globe”. Në fillim lidhja e tyre qarkulloi vetëm si thashethem derisa Albani publikoi klipin e tij, ku shfaqej në bashkëpunimin e tij të parë me bukuroshen Cani. “Let me die with you” është klipi i tyre i fundit që kanë publikuar së bashku, një klip me fabul dashurie.