Albana Osmani: Më erdhi keq që nuk prezantova Top Fest-in
Për fansat e “Top Fest” ka qenë surprizuese fakti që ky edicion u prezantua nga dy motrat Vjollca, në një kohë që vitet e fundit ishin mësuar të shihnin Albana Osmanin, si drejtuese të tij. Por ja që këtë herë ky festival nuk iu besua asaj. Vetë Osmani në këtë intervistë pohon se ndjen një lloj keqardhje e nostalgjie për emocionet që ka marrë në këtë event të muzikës. Por Albana rrëfen edhe ndjesitë e saj që lidhen me programin “E diell” dhe gjithë eksperiencat e saj televizive apo me miqtë e kolegët!
Albana, mirëserdhe në faqet e gazetës "Mapo" dhe urime për prezantimin në spektaklin "E diell"! Si po e përjeton pjesëmarrjen tënde në këtë program?
Mirë se ju gjeta! Pjesëmarrjen time në programin "E Diell" po e përjetoj si çdo produksion tjetër televiziv, në të cilin kam qenë pjesë. Një punë që të fal shumë sadisfaksion. Puna në televizion është shumë e bukur! Ka mundin e vet, si çdo profesion në jetë fundja, personalisht për mua është ajo çfarë dua të bëj.
Ju keni drejtuar gjithmonë vetëm programet (ose me partner), këtë herë në rubrikën që merrni pjesë jeni katër prezantuese. Krijohet ndonjëherë situatë konkurrence mes jush?
Mes nesh nuk ka asnjë konkurrencë. Jemi mikesha shumë të mira. Në punë gjërat i kemi të qarta, dhe absolutisht nuk bëhet fjalë për asgjë të këtij formati. Dhe nëse ka keqkuptime, gatishmëria e secilës prej nesh për t’i sqaruar dhe për t’i dhënë njëra-tjetrës një përqafim të ngrohtë, pasi i çojmë gjërat në vend, është e përhershme. Dhe kjo që po ju them, nuk është ireale. Nuk është e thënë që domosdoshmërisht të jenë të vërtetë skenarët e shëmtuar. Po është e vërtetë, kam drejtuar programe edhe e vetme, produksione dhe me partnerë dhe me partnere, me të gjitha formatet, dhe për mua nuk ka asnjë problem, shoh qartë vizionin tim, respektoj punën dhe publikun dhe kaq nuk është aspak e komplikuar!
Ditën e parë që u bëtë pjesë e "E diell", i keni thënë Adi Krastës se gjithmonë e keni ditur se një ditë do të ishit bashkë në një skenë"! Do të pëlqente të ishe në vendin e Xhemit në atë program?
Pyetja juaj në kompleks, më duket pak naive.
Nuk ka pyetje naïve. Ka përgjigje të tilla!
Po i kam thënë Adi Krastës "gjithmonë e kam ditur që do të takoj një ditë", dhe nënkuptova televizivisht. Në një transmetim ku mjaftonte një shtrëngim dore dhe një mirënjohje për të qenurit pranë tij. Ai ka qenë dhe mbetet ikonë e televizionit në Shqipëri. E kam ndjekur gjithmonë dhe kam mësuar dhe vazhdoj të mësoj shumë prej tij. E kam ditur që do ta takoj, minimumi t’i shpreh vlerësimin tim, sepse ai gjithmonë më ka uruar pas çdo suksesi, sado të madh apo të vogël. Dhe vazhdon ta bëjë gjithnjë. Kjo mbrapashtesa, a do të pëlqente të ishe në vend të Xhemit, sikur nuk vlen për mua. Pasi kam vendin tim dhe kam gjithë energjinë për ta çuar para atë që më besohet. Xhemi është me ne çdo fundjavë, pavarësisht se detyra e saj u shpërnda tek të tjerët sepse momentalisht po pret të sjellë në jetë bebin e saj të parë, që për mua do të jetë nipçja i vogël.
Vitet e fundit ju kemi parë të prezantoni festivalin "Top Fest". Ju vjen keq që nuk jeni pjesë e tij këtë vit?
Epo më erdhi keq në fillim, sepse ndjeva nostalgji. Është tamam sikur kur ndërron shtëpinë dhe pse kjo e reja ka gjithçka më të mirë, ajo e vjetra ka shumë kujtime. Javë, muaj, vite të jetuara. Në këtë kontekst më erdhi keq. Por në vazhdim gjithçka shkoi mirë, kënaqesha ndërsa shikoja produksionin që ishte në udhë të mbarë dhe për mua mjaftonte!
Kë do të vlerësoje si kompeticionin më të rëndësishëm që keni prezantuar deri më tani?
Do të përgjigjem si piktore. Nëse më pyet cila ngjyrë të pëlqen më tepër do të jepja përgjigjen: Të gjitha! Por në kombinime, kontraste dhe forma, sigurisht në kohë dhe stinë bëj diferenca. Ndaj dhe në produksionet që kam prezantuar, veçoj padiskutim Top Fest, Albanian's Got Talent, Ti Vlen dhe së fundmi E Diell. Prapë 4 zgjodha!
Sa e keni ndjerë konkurrencën mes vajzave të tjera prezantuese, brenda TV-së ku punoni?
Unë nuk kam dhe nuk do të kem konkurrencë me askënd. Suportoj këdo që ka nevojë për mua dhe duartrokas këdo që ka suksesin e madh. Sepse njeriu në karrierën e tij, ec i vetëm që prej fillimit. Dhe këtu nëse e personalizoj, nuk nënkuptoj mbivlerësim, aspak! Por qartësi për çfarë dua dhe synoj. Jam koshiente për atë që potencioj dhe rri mirë në këpucët e mia. Pa lakmuar askënd dhe asgjë që nuk më përket. Është e paevitueshme që ndërsa ngjit shkallët e karrierës, të mos hasësh në ato vështirësitë, që disa i përkthejnë si bërryla, disa si normale sepse sistemi i tyre ashtu ka funksionuar kahera, por unë besoj plotësisht që nëse ke talentin e padiskutueshëm dhe punon me përkushtim në televizionin ku punoj unë rruga është e hapur.