Eurovision kërkon falje
Parregullsi të shumta duket se kanë ndodhur në natën e parë gjysmë finale të Eurosongut në Duseldorf të Gjermanisë.
Transmetuesi publik NDR ka pasur mjaft probleme me televotim dhe transmetimin e audios në shumë shtete të ndryshme të Evropës. Kjo për faktin se për tridhjetë minuta nuk ka qenë i mundur fare votimi nga shumë shtete të ndryshme të kontinentit, shkruan sot Zhurnal.
Kjo ka bërë që Jon Ola Sand, mbikëqyrësit ekzekutiv i Eurovision Song Contest në emër të EBU, Rrjetit të Transmetuesve Publikë Evropianë, t’i bashkohet Thomas Schreiber, producent ekzekutiv i konkursit 2011, Thomas Riedel nga kompania Riedel që ka pasur përgjegjësinë e infrastrukturës së të gjitha komunikimeve, dhe Dieter Thiessen, shefi i inxhinierikës në transmetues NDR, të kërkojë falje publike për avarinë e ndodhur.
Problemet më të mëdha, sipas organizatorëve, duket se kanë ndodhur gjatë përforcimit të pesë këngëve të para të kësaj nate, Polonisë, Norvegjisë, Shqipërisë, Armenisë dhe Turqisë.
Nga ana tjetër, Thomas Schreiber kërkoi falje për të gjithë shikuesit dhe komentuesit, të cilët nuk kanë pasur audio, por duke saktësuar se këto probleme nuk kanë qenë prezente në të gjitha shtetet.
"Qëllimi ynë është të japim një shfaqje të përsosur në çdo aspekt dhe unë kërkoj falje në emër të NDR”, tha Schreiber.
Sipas Schreiber, ata kanë bërë testet për gjithçka një ditë më parë, të hënën më 11 maj. “..Çdo gjë ishte duke punuar shumë mirë, por rreth orës 20:40 minuta, përpara fillimit të transmetimit, kemi pasur shenjat e para se diçka nuk është mirë”, tha ai.
Nga ana tjetër, reagimet e fansave të këtij festivali nga e tërë Evropa janë shumë të ashpra. Një pjesë e madhe e tyre, sidomos nga pesë vendet e para, kërkojnë që ky problem të rregullohet sepse këtë e konsiderojnë si diçka të padrejtë që u është bërë sidomos pesë vendeve të para konkurruese.
Një pjesë e madhe e tyre duan që nata e parë gjysmëfinale të realizohet edhe një herë.
Sidoqoftë, deri më tash nuk ka asnjë informacion të ri se çfarë veprimi do të ndërmarrin organizatorët.
Nata e dytë gjysmëfinale pritet të mbahet sonte dhe zyrtarët e festivalit pretendojnë se problemet teknike janë zgjidhur.
Flasin për vitin tjetër
Ndërkaq, gjatë një konference për shtyp që e kanë mbajtur organizatorët e festivalit, kanë folur më shumë për përmirësime që do të bëhen në mënyrën e votimit vitin e ardhshëm sesa për të marrë ndonjë vendim se si do t’ia bëjnë me problemet që kanë pasur me votime në gjysmëfinalen e parë.