Albania Open ne Vlore

Në një ceremoni festive, federata më e re sportive në Shqipëri, ajo e Aeronautikës, ka prezantuar kalendarin e aktiviteteve për vitin 2012. Presidenti i Federatës së Aeronautikës, Renis Tërshana dhe pionieri i sporteve ekstreme në vendin tonë dhe më specifikisht i atyre të ajrit, Alekt Islami zbuluan kalendarin, ku evenimenti më i rëndësishëm është natyrisht “Albania Open”, që do të organizohet në Vlorë nga data 8 deri më 12 maj. Bëhet fjalë për Kupën e Botës, edicionin e 13-të të mitingut më të madh ndërkombëtar të fluturimeve të lira dhe aktiviteti më i rëndësishëm i sporteve të ajrit në Shqipëri. Aty priten 150 pilotë nga e gjithë bota, nga vende si Indonezia, Malajzia, Mali i Zi, Kina, Gjermania, Austria, SHBA, Brazili e Rusia. Ky event do të ketë premiot më të larta për këto lloj kompeticionesh në botë, ndërsa e reja e këtij viti do të jenë çmimet speciale për pilotet femra, për të stimuluar përhapjen e këtij sporti në këtë gjini. Objektivi është organizimi sa më dinjitoz, për ti paraprirë Kampionatit Botëror në vitin 2014 ose 2015. Në kalendar janë edhe disa aktivitete të tjera, si “Gjirokastra Air Games” nga 1 deri më 5 qershor, “Korça Paragliding” nga 15 deri më 18 gusht, “Albania Coast Trip” nga 1 deri më 7 shtator dhe “Tirana Air Show” nga 5 deri më 7 tetori, që shërbejnë edhe për të promovuar vlerat turistike të qyteteve të veçanta dhe të gjithë Shqipërisë.