E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albania” e digjitalizuar

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës (BKUK), në edicionin e tetë të javës e Bibliotekës, në Kosovë, po vazhdojnë aktivitet e ndryshme. Në rendin e aktiviteteve të rëndësishme të kësaj jave në paraditen e së martës ishte ligjërata e drejtorit i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë Aurel Plasari, me titull “Albania e Konicës për ne dhe të tjerët”. “Për revistën “Albania” të Faik Konicës, është shkruar, është rishkruar, është vlerësuar monumenti i kulturës shqiptare, ndërsa këtë ligjëratë do e nisi me idenë e rivlerësimit, nisur me tekstin elektronik të kësaj reviste, në prodhim ndër të parat elektronike të Bibliotekës Kombëtare, e quajtur tekst elektronik në kuptimin e tekstit të digjitalizuar” Tha Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Revista më e vjetër shqiptare e themeluar nga Faik Konica 1897-1909, e titulluar Albania është digjitalizuar nga Biblioteka Kombëtare. Përmbledhja 12 vëllimshme e revistës “Albania” lehtëson punën e akademikëve sipas Plasarit. pasi që antikuarët mund të dëmtohen kur merren në dorë.

“Teksti elektronik i prodhuar nga Biblioteka Kombëtare ka qenë një nga ambiciet e para të fillimit të këtij procesi nëpërmjet departamentit të teknologjive të reja, të Bibliotekës Kombëtare” Tha Plasari.

Sipas Plasarit, programi i përgjithshëm që do të jetë në linjë online, në faqet e Bibliotekës Kombëtare, “Albanika”, është ndërtuar me tri shtylla kryesore: kolona e parë do të ketë të bëjë me tekstet themelore të albanologjisë, kolona e dytë është për tekstet e vjetra të gjuhës shqipe dhe kolona e tretë ka ambicien të prodhoj në formë tekstesh elektronike për disa nga periodikët më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Bashkë me digjitalizimin e Albanias së Konicës, Biblioteka Kombëtare ka nisur punën edhe për Mesharin e Gjon Buzukut. Origjinali i tij ndodhet në Vatikan, por biblioteka zotëron një kopje cilësore të realizuar në vitet '30. Edhe "Monografia e Skënderbeut" nga Marin Barleti i është nënshtruar këtij procesi, i cili do të bëjë që kushdo të ketë akses në këto vepra direket nga faqja e internetit të Bibliotekës Kombëtare.

“Për ne punonjësit e bibliotekave ky digjitalizim krijon lehtësinë maksimale të disa niveleve informacion. Në radhë të parë për shërbimet e informacionit drejtpërdrejt nëpër biblioteka, për publikun, shërben si variant i tekstit të prodhuar në formë elektronike, së dyti informacion për departamentin e albanologjisë që funksionon në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë por edhe tek ju shërben për të ndihmuar për informacionin në departamentet e bibliografisë ose të katalogëve”, u shpreh Plasari.

Themeluesi i revistës “Albania” Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Java e Bibliotekës Kombëtare, vazhdon me aktivitetet e saja deri me 17 prill 2010.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›