Seldi, Domit: Miri pranë teje, për të më bërë xheloz
Lojëra me njëri-tjetrin, gjetje për t’u argëtuar, muzikë me piano, biseda për t’u njohur më shumë, por edhe debate... këshillojnë njëri-tjetrin, miqësohen, por edhe zgjedhin se cili prej tyre është personazhi që ia vlen t’i qëndrojnë pranë. Në këtë mënyrë banorët e shtëpisë më të famshme në vend kalojnë ditët e tyre brenda saj.
Manal dhe Domi, bisedojnëManal e pyet Domenikën nëse e ka pasur të vështirë faktin se pëlqimi i saj me Seldin ka nisur në një kohë kur në shtëpi gjendej edhe mamaja e saj. Domi i përgjigjet se mami Vale ka qenë në dijeni të kësaj simpatie, pasi ata qëndronin shumë kohë pranë njëri-tjetrit. Domi thotë se ajo ka marrë mendimin e mamasë për këtë lidhje dhe asaj i mjaftonte që Domi të ishte e lumtur dhe të ndihej mirë. Manal thotë se kur ka qenë Enxhi në shtëpi dhe ka tentuar të provokojë Seldin, ai është treguar shumë i fortë dhe nuk është lëkundur dhe Manalit i ka pëlqyer shumë ky qëndrim i tij. Domi përgjigjet se detyra e Enxhit ka qenë t’i provokonte dhe t’i vinte në situata të sikletshme, dhe ia ka dalë mirë me disa persona. Ajo thotë se i ka bërë çudi që Enxhi qëndronte gjithë kohën mbi taka dhe e veshur në mënyrë provokuese, për këtë arsye edhe e ka pyetur nëse ashtu qëndronte edhe në shtëpinë e saj. Domi i thotë Manalit se nuk ndihet mirë tani që Seldi është në nominim.
Jona dhe Manal njihen më shumëJona duket e interesuar të dijë për jetën e Manal, një histori që nuk të takon shpesh ta dëgjosh. Ajo e pyet për familjen, njohjen e dy prindërve me kombësi të ndryshme, jetën në Jordani dhe ardhjen për të jetuar tashmë në Kosovë. Jona e pyet edhe në lidhje me shoqërinë dhe Manal tregon se shoqëria e saj kryesore janë shokët e shoqet e shkollës, me të cilët del të argëtohet edhe pas mësimit. Ajo tregon se fillimisht e kishte të vështirë që të shoqërohej me dikë, pikërisht nga mosnjohja mirë e gjuhës shqipe. Me vajzat bashkohet edhe Tatiana dhe biseda ndryshon temë. Ato fillojnë të flasin për nominimet dhe ndryshimet e sjelljes gjatë asaj jave. Sipas Tatianës, emocionet fillojnë të shtohen gjatë ditës së shtunë kur banorët e nominuar fillojnë të përgatisin valixhet, marrin çdo gjë, moment që të duket sikur po largohesh, pavarësisht se mund të mos dalësh. Për të shtunën, Tatiana mendon se emocionet në çdo moment janë në rritje, derisa të dëgjojnë zërin e Arbanës që do fillojë të lexojë zarfin me emrin e të eliminuarit. Ajo mendon se ai është momenti kulminant i emocioneve për këtë fazë të lojës. Tatiana kujton me Manalin momentin e fundit kur u eliminua Olta. Tatiana tregon se dëshironte që të dilte Olta, pasi nuk ishte shumë e lidhur me të, por nuk mendonte se ajo do dilte vërtet, pasi ishte një banore e vjetër në krahasim me Manalin.
Djemtë e kthejnë shtëpinë në një kabareBanorët kanë menduar të krijojnë një ambient kabareje brenda shtëpisë së “Big Brother”. Djemtë preferojnë të jenë protagonistët, dhe do të vishen si femra. Ata kërkojnë ndihmën e Domenikës për t’i veshur e për t’i grimuar. Jona hyn në dhomë dhe shikon djemtë që janë shpërfytyruar, dhe e çuditur i pyet se çfarë kanë ndërmend të bëjnë. Ata i përgjigjen se do të krijojnë një kabare, ku do të kërcejnë ndërsa Domenika do t’i shoqërojë në piano. Djemtë fillojnë të kërcejnë në dhomë, duke thënë se janë duke bërë prova për shfaqjen. Domenika shkon te pianoja dhe përgatit pjesët që do të luajë. Mandi dhe Manali debatojnë pak, ndërkohë që djemtë janë në momentet para fillimit të shfaqjes. Duke qenë se Manal ndërhyn në veprimet që bëjnë ata, Mandi i thotë se ajo është fëmijë dhe nuk di të flasë e të sillet, madje nuk duhet ta shikojë fare këtë pjesë. Së fundmi, djemtë kanë filluar të performojnë para vajzave dhe Klodit, i cili nuk ka marrë pjesë, pasi nuk ndihej shumë mirë fizikisht.
Komente për grindjet mes Mandit e ManalitPas performancës së djemve Jetmiri, Erioni dhe Manal qëndrojnë në kuzhinë dhe komentojnë për grindjen e Manalit me Mandin. Jetmiri i thotë asaj se nuk duhet të flasë shumë, pasi nuk zgjidh asgjë dhe e ka fjalën pasi ajo i vazhdon gjatë grindjet, e në rastin konkret me Mandin. Manali përgjigjet se nuk e duron dot Mandin, pasi është ai që e tepron dhe e zgjat shumë bisedën. Manal shprehet se dhe kur flet me zë normal, Mandi i thotë të ulë zërin, dhe shton se ajo është e lirë të bëjë çfarë të dojë aty brenda dhe Erioni e kundërshton shprehjen e saj të fundit. Manal përgjigjet se përderisa nuk cenon askënd dhe nuk ka kontakt fizik kur i ngacmon, me fjalët mund të bëjë çfarë të dojë. Erioni shprehet se ka qenë një shaka e gabuar nga ana e saj që të vinte një insekt mbi tavolinë, dhe të gjithë menduan se ishte gabim, e për këtë arsye ajo duhet të kërkonte falje. Manal përgjigjet se askush nuk u ka kërkuar falje atyre kur u kanë fshehur rrobat. Ajo shton se po të dojë mund të ndalojë Mandin me këto sjellje pasi është më i madh, por Jetmiri i thotë se nëse nuk e ka bërë Mandi, duhet të provojë ta bëjë ajo. Manal këmbëngul se duhet të jetë Mandi, që duhet të bëjë hapin e parë dhe ajo do ta ndjekë.
Ndërkohë, Mandi bisedon për të njëjtën temë me Tatianën dhe Klodin në kopsht. Ai u thotë se ai nuk ka ndërmend të merret me Manalin, pasi ajo është si fëmijë i keq. Mandi shton se Manal ka fituar vetëbesim që nga dita e shtunë që i shpëtoi nominimit, dhe tashmë po deliron.
Miri këshillon ManalinJetmiri është shtrirë për të fjetur dhe në dhomën e gjumit vjen edhe Manal. Miri fillon ta ngacmojë me batuta, sepse i duket e mërzitur, gjë që ajo e mohon. Më pas, ajo ulet te krevati i tij e të dy fillojnë të komentojnë debatin e Manalit me Mandin. Miri duke e këshilluar, i thotë se ajo bëri gabim që e zgjati aq debatin, por sipas Manalit, ishte Mandi ai që nuk po pushonte. Miri mendon se ajo duhej ta merrte me qetësi. Manal justifikohet se nuk po e duronte dot Mandin, sepse i dukej sikur ai e teproi me fjalët që i tha. “Trego që je e rritur, e fortë dhe e urtë në këto raste dhe për çdo gjë falënderoje, pavarësisht se çfarë thotë”, e këshillon ai. Manal justifikohet se kur Erioni e qorton për ndonjë gjë, ajo nuk ia merr për keq e të debatojë, por Mandi ka një mënyrë që asaj nuk i pëlqen. Miri ia jep këto këshilla duke u nisur nga eksperienca e vet dhe i tregon Manalit se dhe ai ka debatuar, bërtitur, dalë nga kontrolli, ka thënë apo ka vepruar gjëra që nuk do donte t’i bënte, ndaj dhe ajo nuk duhet të arrijë në këtë pikë.
Seldi dhe Domenika sqarohen për MirinSeldi me Domenikën bisedojnë për raportin e krijuar mes saj dhe Mirit. Ai dyshon se Jetmiri e bën me qëllim këtë afrim, vetëm për lojë, por Domenika mendon se ata thjesht po kalojnë një pjesë të kohës me njeri-tjetrin, ashtu si me të gjithë të tjerët. Seldi insiston se koha që ata kalojnë bashkë, është më e gjatë se ajo që kalon Domi me të tjerët, madje sjell edhe shembuj ku ai ka konstatuar se Miri e bën qëllimisht. Domi e kundërshton duke thënë se ajo shkon të bisedojë me Mirin vetëm atëherë kur edhe asaj i intereson, por sipas Seldit, Miri është afruar shumë. Domi e pyet se si e mendon ai këtë afrim të Mirit ndaj saj. Seldi përgjigjet se Miri e bën ose se i pëlqen ajo, ose e bën prej tij, për ta bërë xheloz e për t’u kapur me të. Domi mendon se arsyeja e parë nuk qëndron, ndërsa për të dytën, mendon se nëse Seldi e mendon se mund të qëndrojë, atëherë nuk duhet t’ia bëjë qejfin Mirit duke u mërzitur apo reaguar. Seldi ia kthen se po mundohet të veprojë ashtu, por nuk mund të shikojë njeriun që do, të kënaqet me të. Domi sërish e kundërshton, pasi kjo fjalë i duket e tepërt, ndërsa Seldi vazhdon bisedën duke thënë se sa herë që ajo rri me Mirin dhe bëjnë ndonjë gjë, Miri e shikon Seldin në sy. Edhe Domenika mendon se Miri e bën kastile për lojë dhe tregon edhe ajo disa sjellje apo fjalë të tij që i janë dukur pa lidhje. Ajo e këshillon Seldin që të mos e mendojë fare që Miri e pëlqen atë, sepse për sa kohë mendon këtë gjë, atëherë ka për të bërë sjellje të tilla si xhelozi apo ngacmime me Mirin. Seldi ia kthen se edhe ajo po vepron gabim duke ndenjur aq afër me Mirin si për shembull te pianoja. Ajo shprehet se bën atë që ndien dhe i pëlqen e në këtë rast, po argëtohej me të tjerët. Sipas saj, edhe Seldi duhet të bashkohej me ta e jo të rrinte veç, sepse kështu e bën Mirin të fitojë ndaj tij.
Erioni dhe Jona debatojnëErioni dhe Jona kanë debatuar me njëri-tjetrin. Kur Jona është zgjuar i ka thënë Erionit se përse i ka hedhur jorganin e tij asaj, sepse ka pasur shumë vapë. Për këtë Erioni debaton me Kikën dhe akuzon atë për hedhjen e jorganit të tij Jonës. Ndërsa Jonës ai i justifikohet me faktin se ai nuk e kishte bërë këtë sepse kishte pasur gjatë gjithë kohës ftohtë për vete. Më pas Jetmiri i tregon Jonës se kishte qenë ai që ia kishte marrë jorganin Erionit dhe ia kishte hedhur asaj. Jona e pyet se përse e kishte bërë këtë lojë dhe Jetmiri i përgjigjet, sepse kishte parë që ajo kishte ftohtë. Atëherë Jona e pyet se përse kishte marrë pikërisht jorganin e Erionit dhe jo të dikujt tjetër, ose mund të merrte edhe një nga krevatet që tashmë janë bosh. Jetmiri i thotë se mori jorganin e Erionit, sepse dëshironte që t’i bënte një lojë atij. Jona i thotë se pas kësaj do të mundohet të jetë më e vëmendshme ndaj lojërave të tyre.
#