Albanologët, 3 mijë euro për kontributin
Vepra themelore në Albanologji, më e mira e shkruar në këto vite do të vlerësohet me një çmim jo vetëm honorofik, por dhe material prej 3 mijë eurosh. Mbi këto vepra do të flitet për tri ditë në Tiranë në një simpozium shkencor që organizohet nga Qendra e Studimeve Albanologjike. “Veprimtaria konsiston në vlerësimin dhe në promovimin e botimeve më të rëndësishme në fushat e albanologjisë, të botuara ose jo në Shqipëri, nga autorë shqiptarë dhe të huaj; ajo synon të kthehet në traditë, për t’u bërë çdo tre vjet”, - thuhet në njoftimin për shtyp të qendrës. Simpoziumi organizohet në 4 sesione pune, përkatësisht: Kërkime Gjuhësore, Kërkime Kulturore-Letrare, Kërkime Etnologjike dhe Arkeologjike, Kërkime Historike. Në secilin sesion paraqiten 7 vepra. Për paraqitjen e veprave, ftohen autorët e tyre, si edhe një referent për çdo vepër. Në fund të katër sesioneve, ditën e tretë në mëngjes, zhvillohet votimi për përzgjedhjen e veprave që do të fitojnë Çmimin e Albanologjisë. Çdo autor sjell me vete 2-4 kopje të veprës së përzgjedhur; librat vendosen në sallë, në standin e parashikuar për këtë qëllim; këta libra i dhurohen në fund Bibliotekës Albanologjike. Në përzgjedhje janë mbajtur parasysh këto kritere: a) vepra të përbëjë kontribut themelor në një nga fushat albanologjike ose në studimet albanologjike transversale; b) kontributi i veprës të jetë origjinal së paku për një nga këto elemente: materiali i trajtuar; metoda e qasjes; argumenti dhe teza e mbrojtur; risia e rezultatit; c) autori i veprës të jetë gjallë dhe në aktivitet botues; d) vepra të jetë botuar në pesë vitet e fundit, ose të ketë pasur impakt të pamohueshëm në mjedisin shkencor-akademik dhe universitar shqiptar. Për të përuruar Çmimin e Albanologjisë, këtë edicion të parë përzgjidhen gjithsej 28 vepra të fushave të ndryshme. Në seancën përmbyllëse, në ora 10:00 të datës 20 dhjetor, përurohet dhe jepet Çmimi i Albanologjisë për tri veprat më të votuara, të cilat sjellin kontribut madhor në zhvillimin e albanologjisë, në forcimin dhe në rrezatimin e studimeve albanologjike. Çmimi është sendërtuar në një statuetë artistike, shoqërohet me diplomë dhe me një vlerë monetare të paracaktuar 3.000 euro. Çmimi i Albanologjisë jepet për tri vepra: 1) Vepër themelore në shqip 2) Vepër themelore në gjuhë të huaj 3) Vepër themelore kolektive. Veprat që do të meritojnë Çmimin e Albanologjisë, përzgjidhen nga autorët dhe referentët pjesëmarrës.
Re.Ku
Re.Ku