Alberta, arrest me burg për trafikantët e armëve
Tiranë- Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot masën e sigurisë për pesë të arrestuarit e operacionit policor “Alberta”,të cilët akuzohen për "trafik armësh". Në seancën e sotme është vendosur që ata të qëndrojnë të izoluar në paraburgimin e Tiranës deri në përfundim të hetimeve të hapura ndaj tyre nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Masa e sigurisë u caktua me kërkesë të organit të akuzës, sipas të cilës shtetasit Musatafa Gashi, Edmond Kajo, Marjus Buda,Florenc Mezini dhe Nertil Fejzullau do të qëndrojnë në paraburgim.
Të pandehurit u arrestuan disa ditë më parë në Fushë- Krujë, duke transportuar me dy makina, 15 armë zjarri të llojitpistoletë tip"Minibloë" dhe"Zastava" si dhe120 copë fishekë, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Sipas burimeve nga prokuroria, mbështetur në hetimet paraprake, dyshohet se të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti të trafikut të armëve dhe municioneve luftarake Shqipëri- Kosovë.
Hetuesit e çështjes mendojnë se në këtë linjë trafiku janë përfshirë edhe të tjerë persona. Për këtë ekspertët janë në vijim të hetimeve.