E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, dështon seanca e radhës

Tiranë- Mungesa e avokatëve mbrojtës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, është bërë shkak për dështimin e seancës gjyqësore në ngarkim të “Bandës së Durrësit”.

Edhe pse sot në sallën e gjyqit ishin të pranishëm disa nga të pandehurit e kësaj bande, përfshi edhe shtetasin Lulëzim Berisha, i cilësuar si kreu i “Bandës së Durrësit”, mungesa në sallë e përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të tyre, detyroi trupin gjykues, që të shtyjë procesin për javën e ardhshme.

Pas kësaj, togat e shoqërimit nën masa të rrepta sigurie, bënë transferimin e të akuzuarve nga gjykata në burgun e sigurisë së lartë 313, në Tiranë.

Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale të ndodhura pas vitit 1997, sidomos në qytetin e Durrësit.

Me kalimin e viteve, sipas të dhënave hetimore të mbledhura nga prokuroria, kjo bandë është përfshirë në konflikte mes grupeve rivale brenda saj, duke lënë pas shumë epsiode kriminale, mes të cilave vrasje, plagosje, atentate me armë zjarri, të cilat tashmë janë bërë objekt shqyrtimi për Gjykatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›