E Diel, 1 Nëntor 2026

Punonte në gurore, vdes aksidentalisht 21-vjeçari

Vlorë- Një 21-vjeçar ka humbur jetën teksa ka qenë duke punuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Pilur. Siç mësohet, Aristidh Bala ishte i punësuar në një gurore prej pak kohësh. Në momentin e aksidentit ai ishte duke rregulluar karrocerinë e një makinerie të tonazhit të rëndë.

Rënia e një pjese të karrocerisë ka qenë fatale për të. Pajisja i ka rënë atij në pjesën e kokës. Dy punëtorë të tjerë që janë gjendur pranë kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por çdo përpjekje ka rezultuar e kotë.

Efektivë të policisë së Himarës shkuan menjëherë në vendngjarje, ku edhe bënë dokumentimin e parë të saj.

Më pas specialistët e policisë kanë nisur edhe hetimet për aksidentin e ndodhur në punë. Ndaj dy punëdhënësve të tij, Grigor dhe Ardian Zoto, është ngritur akuza e “shkeljes së rregullave të sigurisë në punë”. Sipas policisë të dy shtetasit ndodhen aktualisht në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›