E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albin Kurti me bashkëpunëtorë, në Zvicër

Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër e ka vizituar një delegacion nga Prishtina, i përbërë nga Albin Kurti, Salih Salihu dhe deputeti Rexhep Selimi.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, Albin Kurti dhe një delegacion i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Zvicër, u takua me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste të Zvicrës, Stefan Hostettler, zëvendës Sekretar i Përgjithshëm dhe shef i Divizionit Politik, dhe Peter Hug. Aty u diskutua për zhvillimet aktuale, për programet politike dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy subjekteve politike.

Të premten, më 6 shtator, delegacioni i Vetëvendosje!-s u takua me ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë në ambasadat përkatëse në Bern, ku u bisedua për mërgatën shqiptare në Zvicër dhe zhvillimet politike të fundit në trojet shqiptare.

Pas takimeve me ambasadorët, delegacioni pati një takim me afaristë dhe bashkatdhetarë të Kantonit të Bernit, ku delegacioni bisedoi rreth problemeve të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe Kosovë, dhe rreth Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje!. Gjatë ditës së shtunë, më 7 shtator, delegacioni pati takim edhe me politikanët zviceran të kantonit të Gjenevës: Tierry Apotheloz të Partisë Socialiste si dhe Antonio Hodgers të Partisë së Gjelbër, të dy kandidatë në zgjedhjet e 6 tetorit për deputetë në Këshillit e Lartë Shtetëror. Ata diskutuan për situatën politike, mërgatën shqiptare dhe sfidat e integrimit të saj në shtetin zviceran si dhe ndërtimin e urave bashkëpunuese e shkëmbimin e përvojave.

Politikanët zviceran inkurajuan delegacionin nga Kosova për vazhdimin e përpjekjeve të VV_së në realizimin e politikave të saj, të cilat bazohen në vlerat evropiane për barazi shoqërore dhe zhvillim te qëndrueshëm ekonomik.

Në mbrëmje, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Zvicër, Pika në Gjenevë ka mbajtur një takim me bashkatdhetarë. Takimin e hapi kryetari i Pikës së Gjenevës, Mujë Shala. Meriton Mihovci, kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Zvicër foli për shtrirjen e Lëvizjes dhe rëndësinë e përfshirjes së saj në jetën politike.

Deputeti Rexhep Selimi shprehu mirënjohjen e thellë të VV-së ndaj kontributit të mërgatës shqiptare dhe rolin e shtetit sipas Alternativës Qeverisëse ndaj mërgatës.

Albin Kurti pohoi se Lëvizja Vetëvendosje! ka hartuar Alternativën Qeverisëse të bazuar në 3 shtylla, shtetin zhvillimor, shtetin e së drejtës dhe shtetin social, e në 20 kapituj. VV zotohet dhe angazhohet ta realizojë këtë projekt por ajo ka nevojë për përkrahjen e popullit, tha Kurti. Me këtë, Alternativë, do t'ia sjellim sovranitetin ekonomik Kosovës, pavarësinë politike vendit dhe mirëqenien e dinjitetin qytetarit. Pas prezantimeve ata ju përgjigjën pyetjeve e komenteve të shumta të bashkatdhetarëve. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›