E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albpetrol, gati marrëveshja Rrezart Taqi-Qeveri

Aksioneri kryesor i Vetro Energy, Rezart Taçi, ka konfirmuar se grupi i tij ka finalizuar financimin dhe investimin e kapitalit për marrëveshjen prej 850 milionë eurosh për të privatizuar rezervat e naftës të Shqipërisë, nëpërmjet kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit, Albpetrol.

Vetro Energy është aktualisht në negociata me qeverinë e Shqipërisë për të blerë 100% të aksioneve të Albpetrolit. Kur të përmbyllet marrëveshja ka për të qenë një nga transaksionet më të mëdha korporative në historinë e Ballkanit. Në përmasa, marrëveshja është e barasvlefshme me pak më pak se 10% të Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. 

“Marrëveshja e blerjes së aksioneve me qeverinë shqiptare për blerjen e Albpetrolit ka për t’u përmbyllur me sukses në një të ardhme shumë të afërt, meqenëse ne jemi shumë të vendosur për të shpënë përpara këtë projekt dhe për të investuar në të ardhmen e Shqipërisë. Është shënuar një progres i madh ndërmjet të dyja palëve, por të dyja palët kemi ende shumë punë përpara”, ka thënë Taçi, transmeton Shekulli.

Vetro Energy po përgatitet të sigurojë të gjitha asetet e Albpetrolit si dhe të drejtën për të eksploruar dhe zhvilluar naftë dhe gaz në territorin shqiptar. Kjo kompani planifikon të krijojë të vetmen platformë plotësisht të integruar të naftës dhe gazit në Shqipëri e cila do t’u shërbejë tregjeve lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, dhe që do ta shndërrojë Shqipërinë në një qendër ndërkombëtare energjie në Evropën Juglindore.

Me mundësitë e eksplorimit dhe zhvillimit në tokë dhe në det si dhe me zhvillimin e transmetimit të gazit natyror, Vetro Energy do të investojë në teknologji, në mjedis si dhe në komunitetet e afërta. Si pasojë e marrëveshjes, Shqipëria mund të bëhet sërish e pavarur gjatë 3-5 viteve të ardhshme duke eleminuar kështu nevojën për importet e naftës. Vetëm fusha e Patoz-Marinzës është fusha më e madhe e naftës në tokë në Evropën kontinentale me rezerva të vërtetuara prej 169 milionë fuçi naftë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›