Berisha: Shqiptarët i bashkon Skënderbeu

Gjatë ceremonisë për hapjen e ekspozitës së armëve të Skënderbeut, të mbërritura nga Austria, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka cilësuar momentin e rikthimit të armëve të heroit kombëtar dekoratën më të bukur të 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Armët që ju sot sollët këtu, janë guximi, burrëria, kuraja e dhjetëra e mijëra shqiptarëve, që në shekuj ranë për liri e dinjitet. Në të gjitha betejat e tij, Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të kombit shqiptar”, u shpreh kryeministri.
Berisha foli për lidhjen e fortë mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe shprehu falënderim për sjelljen e përkohshme të armëve të heroit kombëtar të shqiptarëve, të cilin e cilësoi si prijësin e përjetshëm.
“Për shqiptarët si komb, Skënderbeu është frymëzimi, është shtyllë kryesore e identitetit të tyre kombëtar. Shqiptarët ndajnë besime të ndryshme, respektojnë dhe besojnë Krishtin, Muhamedin, por ata bashkohen që të gjithë te Zoti dhe Skënderbeu”, u shpreh Berisha.
Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të qëndrojë në Tiranë për një periudhë të shkurtër me rastin e jubileut për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe më pas do të kthehen përsëri në Austri. /Indeksonline/