Albpetrol-i merr licencë për transport dhe shpërndarje gazi përpara shitjes
Kompania shtetërore Albpetrol ka marrë dy licenca për transportin dhe shpërndarjen e gazit. Lajmin e bën të ditur agjencia Reuters. Këto dy licenca do të shërbejnë për të rritur vlerën e kompanisë, pasi qeveria synon të shesë 100 përqind të aksioneve të saj tek një investitor strategjik për gazin e naftën.
Shqipëria nuk ka rrjet gazi, por po lufton për një projekt gazsjellësi, të njohur me emrin TransAdriatik.
Ministria e Energjetikës bëri me dije se ka shtyrë deri të premten afatin për pranimin e ofertave për Albpetrol-in. Vendimi u mor për shkak se 14 kompani kanë shprehur interesin e tyre, por kanë kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar kompaninë dhe asetet e saj.
Ekziston një frikë se kjo ndërmarrje e rëndësishme mund të bjerë në duart e rusëve dhe disa analistë, përfshi Janush Bugajskin, kanë paralajmëruar qeverinë të mos e bëjë një gabim të tillë.