E Diel, 1 Nëntor 2026

Albpetrol, nafta shqiptare vlen 15 miliardë dollarë?

Share

Nisja e procedurave nga qeveria për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, po shkakton debate të forta në Kuvend por edhe më gjerë. Radhën sot e kishte Komisioni i Ekonomisë. Pas batutave të djeshme mbi emrin e zv.ministrit të Ekonomisë Enno Bozdo, nëse e kishte me një apo me dy n, të cilat shkaktuan shtyrjen e mbledhjes, deputetët i iu kthyen sot debatit teknik në lidhje me ligjet e propozuara nga qeveria për miratimin e procedurave të privatizimit të Albpetrolit.

Nga të dhënat e deklaruara nga Bozdo, mësohet se aktualisht vendi ka rreth 30 milionë ton rezerva nafte nëntokë, ndërsa ato pritet të rriten edhe me zhvillimin e teknologjisë. Rezervat e naftës përllogariten zakonisht në raport me mundësitë teknike për nxjerrjen e tyre në sipërfaqe me teknologjinë aktuale, ndërsa ekspertët vlerësojnë se vendi ka në total 480 milionë ton rezerva!

Por ajo që ndezi më tepër debatin në Komision ishte një përllogaritje e deputetit socialist Arben Ahmetaj, sipas të cilit rezervat shqiptare të naftës vlejnë aktualisht 15 miliardë dollarë me çmimin e tregut. Referuar kësaj vlerë, të majtët thanë se ekzekutivi po ia lë këtë pasuri kombëtare një privati duke mos u kursyer edhe në cilësimin e privatizimit një akt anti-kombëtar. Të djathtët ndërkohë nxituan të shpjegojnë se nuk bëhet fjalë për shitje të puseve por vetëm të aseteve të Albpetrolit.

Përllogaritja e Ahmetajt ishte një deklaratë përballe kamerave dhe gazetarëve dhe mund të marrim të mirëqenë faktin se është bërë edhe për konsum mediatik, megjithatë, deri më sot askush nuk ka marrë lapsin për të parë se sa është pasuria nëntokësore e naftës që Shqipëria po i shet privatit. Albpetrol po shitet në kushte emergjence nga qeveria, gjë që shihet edhe nga nxitimi i mazhorancës për të kaluar me shpejt ligjet në Kuvend.

respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2012/3/6/albpetrol-nafta-shqiptare-vlen-15-miliarde-dollare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›