E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi shmang Kullën e familjes së Adem Jasharit

Thaçi gjate homazheve

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi as sot nuk është kthyer në Kullën e familjes së komandantit Adem Jashari, siç ka bërë që disa herë në shënimin e datave të rëndësishme. Ai edhe sot ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prekaz, ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje me një delegacion ka vizituar dhe familjen Jasharajve siç kanë bërë edhe shumë personalitete të tjera.

Thaçi, në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së me tërë kabinetin e tij ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prekaz, ku ka thënë se vlerësonte lartë sakrificën e familjes Jashari.

Këto ditë ne po shënojmë ditët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sakrificën sublime të familjes Jashari nderojmë dhe respektojmë veprën e kryeheroit, komandantit legjendar Adem Jashari. Çdoherë që ne nderojmë të kaluarën luftën e UÇK-së, rezistencën e gjithë qytetarëve të Kosovës, ne nderojmë të sotmen, marrim energji për të ardhmen për të konsoliduar dhe forcuar shtetin tonë për të integruar në NATO dhe Bashkim Evropian, ka theksuar Thaçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se jeta dhe vepra e komandantit legjendar, Adem Jashari, sakrifica e familjes Jashari e gjithë dëshmorëve të lirisë bëri që të bashkoheshin të gjithë shqiptarët në luftë për liri.

Edhe pse shefi i tyre nuk vizitoi Kullën e Jasharajve, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë bërë homazhe tek varret për të vizituar pastaj edhe familjen Jashari.

Nga ana tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte i shoqëruar me një delegacion, i cili pasi që bëri homazhe tek varret ai vizitoi edhe familjen Jashari. Ai ka thënë se sakrifica e familjes Jashari për liri bëri që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të marr një hov të madh.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, nuk ka dashur të komentoj sot për mos vizitën e kryeministrit Thaçi sërish në Kullë, duke thënë se në ditët tjera mund të jap komentin e tij.

Ju mund të ma bëni pyetjen, por nuk do të ju jap përgjigje, ka thënë Jashari.

Ai më 17 shkurt pati deklaruar se arsyet që kryeministri nuk po shkel në Kullën e tyre duket të jenë qëndrimet politike që ata, si familje, kanë për zhvillimet në vend.(kosovapress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›