E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikatat shkelin Kodin e Punës, i kërkojnë OSSH largime dhe emërime të punonjësve

Krerët e sindikatave shkelin ligjet për të  mbijetuar në treg


Sindikatat shqiptare janë zhytur në korrupsion prej kohësh, kupolat e të cilave janë kthyer në taksambledhës në dëm të interesave të tyre social- ekonomike dhe në dobi të interesave personale. Bazuar në fakte dhe jo në hamendësi, konstatohet

se krerët sindikalë, të cilët kanë humbur besueshmërinë dhe mazhorancën, kanë arritur deri atje sa të shkelmojnë ligjet, Kodin e Punës dhe të gjithë normat statutore dhe ligjore të këtij shteti, vetëm e vetëm që ato të mbijetojnë në këtë treg të trazuar. Individët e trembur dhe të tjerë servilë të udhëheqjes sindikale, janë treguar të mefshtë, për ti treguar vendin cilitdo që do të veprojë jashtë vullnetit të shumicës, e cila nëpërmjet mbrojtëses së idealeve të punonjësve, kërkon që të ecet përpara dhe të korrigjohen gabimet e të kaluarës. Aktualisht konstatohet se shumë pak sindikata, janë të regjistruara në tatime dhe që mbajnë një numër llogarie bankare, ashtu siç veprojnë dhe homologet e tyre në mbarë botën. Për të ilustruar atë se çfarë po ndodh me avokaten e punonjësve, është e rëndësishme të ndalemi në disa aspekte, për të cilat ndoshta publiku nuk është i mirinformuar. Realisht, sot ka një shkëputje totale të sindikatave nga baza e sindikalistëve për shkak të megalomanisë, nënshtrimit të të vegjëlve nga krerët të cilët kapardisen në makina luksoze me paratë e punonjësve, dhe jo të pronës së tyre. Ky quhet demonstrim i forcën së parasë dhe jo i anës intelektuale në dobi të grupimit dhe më gjerë. Po ashtu ka dhe nga ata që e kanë patur dhe e kanë postin qëllim në vetvehte, për të përfituar dhe për të mbajtur rreth më tavolinë ushtarë që dijnë të nënshtrohen, që nuk kanë asnjë moral dhe normë, apo vuajnë nga paaftësia dhe mediokriteti i cili ka disa vite që kanë zënë shtrat në sindikata. Nga ana tjetër është shuar shpirti i të bërit oponencë, pavarësisht se shpeshherë është deklaruar se kërkohet një stad i ri për të gjithë ata që kanë marrë përsipër rolin e avokatit të punëtorëve. Kemi parë në të gjithë këto vite një pjesëmarrje të ulët të punonjësve dhe në ditën e 1 Majit, çka tregon shumë. Me raste të shkëputura aspak serioze dhe kontribuuese shumica e lektorëve apo seminaristëve ndërkombëtarë, kanë vepruar si krerët sindikalë shqiptarë për të qenë sa më të rezervuar, pavarësisht se ata vijnë dhe ikin të befasuar, dhe të zhgënjyer. Në njëfarë mënyre ata kanë bërë rolin e zëdhënësit mediatik të sindikatave false dhe aspak konkurruese në tregun shqiptar. Qëllimi i tyre ka qenë mëse i qartë, ti raportojnë homologëve të tyre se i trajnuan sindikatat shqiptare dhe se fotografitë në ditë përkujtimore apo në protesta do të ishin shumë të shtrenjta dhe justifikuese.


Sindikatat shkelin Kodin e Punës
Ish zëdhënësi i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Luan Shtëpani denoncon pranë gazetës SOT shkeljet e sindikatave kundrejt atyre që ata mbrojnë, pra punëtorëve. Shtëpani pohon se ka fakte konkrete se si përfaqësuesi i FSPISH, Taf Koleci i ka kërkuar para pak kohëve drejtuesve të OSSH, që të largojnë nga puna 9 punonjës të këtij institucioni në degën e Kukësit, si dhe rikthimin në punë të 4 punonjësve të tjerë. Gjatë një komunikimi elektronik gjatë muajit Prill 2010, Koleci i kërkon OSSH largimin nga puna të punonjësve Mimoza Brati, Hulusi Shehu, Nadir Rata, Kujtim Tusha, Isa Rexha, Albert Krasniqi, Hasan Hamza, Shaqir Lumnica, Hysen Mulaj, dhe Selman Morina. Ndërkaq, Koleci kërkon dhe rikthimin në punë dhe të punonjësve Osman Neza, Zenepe Osmanaj, Sheherete Hoti dhe Faslli Durka. Ky propozim i sindikatave është shqyrtuar mes drejtuesve të OSSH dhe KESH-it, të cilët gjithashtu kanë përcjellë e.maile mes njëri-tjetrit, lidhur me punësimin apo shkarkimin e emrave të sipërpërmendur. Kështu, Stëpani konfirmon qartë se si sindikatat bien ndesh me funksionin e tyre primar, që është mbrojtja e punëtorëve dhe largimi i tyre nga puna sipas oreksit personal të krerëve të sindikatave.     

Këshilli Sindikal i Tiranës akuzoi Nikollajn për sabotim të punës së sindikatave
Këshilli Sindikal i rrethit Tiranë, i mbledhur më 2 qershor të vitit 2010 analizoi veprimtarinë sindikale të këtij rrethi, si dhe zhvillimet pas Kongresit të 4-tërt të KSSH. Këshilli vërejti se edhe pse po punohet në shumë drejtime, në organizimin e lëvizjes sindikale, veprimtaria e tij po sabotohet nga veprimet dhe moskomunikimi sa dhe si duhet i kryetarit të KSSH, Kol Nikollaj me drejtuesit e këtij këshilli. Sipas KS, Tiranë, veprimet e tij antistatutore, antidemokratike, antiligjore dhe në kundërshtim të hapur me Statutin e KSSH, me ligjet dhe konventën e punës, kanë filluar pas Konferencës së KS, të Tiranës zhvilluar më dt. 31 tetor të vitit 2009, ku në mënyrë të hapur dhe flagrante, pa asnjë normë statutore, kryetari i KSSH, delegjitimoi zgjedhjen legjitime të kryetarit të këtij këshilli, z. Pëllumb Gorica. Pasi u zhvillua analiza 5-vjeçare e këtij këshilli, me vlerësimet e punës, vërejtjet dhe objektivat për të ardhmen, në momentin që do të kalohej në zgjedhjen e forumeve drejtuese, kryetari i KSSH, z. Kol Nikollaj si i deleguar në këtë konferencë, së bashku me disa të tjerë u largua, sepse kishte ardhur me paragjykime për të emëruar atë që ai dëshironte. Edhe pse ai u largua në një mënyrë që nuk ka nevojë për komente, të gjitha procedurat u zbatuan konform Statutit të Konfederatës, thuhet në njoftimin zyrtar të Këshillit Sindikal të Tiranës. Në këtë njoftim, KS doli gjithashtu në një tjetër konkluzion, se kreu i KSSH, shkon më tej duke mbledhur jashtë statutit dhe çdo norme individë jashtë strukturave të KS të Tiranës dhe duke emëruar në drejtimin e saj njerëz të cilët janë anëtarë, ose të zgjedhur në këto struktura, pra duke krijuar struktura paralele, me synimin monopolizimin e fjalës sindikatë. KS i Tiranës shumë i indinjuar me veprimet e drejtuesit të KSSH, e denoncoi atë si ideator dhe stimulues i përçarjes së lëvizjes sindikale. Të gjithë drejtuesit e seksioneve sindikale të rrethit të Tiranës, të zgjedhur dhe të rizgjedhur, u shprehën njëzëri për ti thënë ndal veprimeve antistatutore të z. Nikollaj. Ata kërkuan që të përpilohet kjo deklaratë e cila ti drejtohet të sipërcituarve, ku të kërkohet të mbahet qëndrim ndaj këtyre veprimeve. Krahas kësaj, këshilli u prononcua edhe për deklaratat e bëra nga 6 federatat themeluese të KSSH, ku unanimisht mbështetën shqetësimet dhe problemet që ngrihen në të. U kërkuan që urgjentisht strukturat e KSSH, të marrin në analizë situatën e krijuar, si gjëja më parësore për ruajtjen dhe konsolidimin e bashkësisë konfederatave. Në këtë mbledhje të KS të Tiranës, morën pjesë drejtuesit dhe anëtarë të 8 seksioneve sindikale si: arsimi (qytet-fshat), bujqësia, pensionistët, transporti, ndërtimi, shëndetësia, punonjësit civilë të mbrojtjes, PTT nga 12 federatat përbërëse të KSSH. Nuk morën pjesë seksionet e industrisë, tekstil-artizanatit, si dhe nafta dhe kimi-metalurgji që nuk kanë anëtarësi në Tiranë. Edhe një herë KS i Tiranës i bëri thirrje strukturave drejtuese të Konfederatës, të reflektojë për shqetësimet të cilat janë statutore dhe në dobi të forcimit të lëvizjes sindikale në Tiranë dhe më gjerë.

Last Updated on E Marte, 15 Qershor 2010 10:29

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›