Albtelekom asnjë investim, rrjeti kabllor merimangë e kryeqytetit
Problemet e shumta me rrjetin e shpërndarjes së linjave të telefonisë fikse apo linjat e tjera që shpërndan Albetelekom, janë të panumërta. Por më problematik se këto është fakti se kudo në të gjitha zonat e kryeqytetit, syri të sheh litarë pa fund
kabllosh të cilat varen në të shumtat e rasteve edhe shumë pranë dritareve të qytetarëve apo në rastet më flagrante edhe në një afërsi marramendëse kudo në rrugët e kryeqytetit. Albetelekom si e vetmja kompani e cila ka përgjegjësi për rrjetin e linjës së telefonave ka lënë në qiell të hapur miliona kabllo që shpërndajnë në familjet e kryeqytetasve linjat e telefonit, dhe në lidhje me këtë nuk ka vënë në zbatim asnjë projekt. Telat të cilët në të shumtën e rasteve priten apo vjetërohen edhe nga kushtet atmosferike duket sikur janë me miliona, nëse përpiqesh vërtet ti numërosh. Kjo formë e shpërndarjes së linjave të telefonit, duket sikur ka zaptuar kryeqytetin dhe është kthyer për të në një rrjetë të vërtetë merimange. Ndërsa nga Albtelekom nuk ka asnjë investim për kanalizime dhe groposjen e tyre nën dhe çka do të eliminonte lënien e tyre në qiell të hapur, duke i dhënë zgjidhje në herë e mirë këtij problemi. Dhe për këtë ky institucion fajëson Bashkinë e Kryeqytetit, e cila nuk i jep lejen për kryerjen e sistemit të nëndheshëm e futjen e kabllove nën tokë. Realisht, duket sikur Albtelekom do të zvarrisë kryerjen e këtij sistemi i cili do të ishte tepër efektiv e do të ndalonte në këtë mënyrë edhe problemet pa fund të linjave telefonike të cilat në të shumtën e rasteve, prishen si pasojë e kushteve atmosferike apo edhe e shkëputjes apo e ndërprerjeve të paligjshme në shumë raste nga vetë qytetarët. Në shumë raste lënia në qiell të hapur e këtyre linjave të cilat shpërndajnë sinjalin telefonik ka qenë edhe shkak i vjedhjeve apo i marrjes së jashtëligjshme nga qytetarët duke mos e paguar këtë shërbim. Por Albtelekom duke mos ndërrmarë asnjë masë, sistem apo projekt në lidhje me lënien jashtë të linjave të telefonit e duke krijuar kështu probleme të pafundme me ndërprerjet e njëpasnjëshme e tepër të kontestueshme nga vetë qytetarët ka bërë që edhe ankesat e tyre, në lidhje me problemin në fjalë te jenë të shumta. Parimisht Albetelekom duhet të krijojë një sistem mbrojtës për të gjitha linjat e telefonisë fikse por edhe ato të sistemit të internetit duke zbatuar një projekt i cili do të mbronte të gjitha linjat nën tokë e në këtë formë do të shmangeshin të gjitha problemet e konstatuara me ndërprerjet pa fund e tepër shqetësuese për qytetarët.
Kabllot
Albtelekom nuk ka kryer asnjë investim për kabllot telefonike si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit telefonik apo shërbimit të pajisjes së qytetarëve me sinjal interneti. Kështu, infrastruktura teknike e këtij shërbimi, jo vetëm mbetet në kushte të mjerueshme, por kabulli i përçues i sinjalit telefonik bëhet pengesë edhe në kryerjen e shërbimit të energjisë elektrike, pasi ata janë vendosur në shtylla të njëjta. Në vend që të kalojnë nën tokë, telat e shërbimit telefonik fiks, janë lënë në ambient të hapur, të varur nëpër shtylla apo në forma të tjera. Kushtet teknike të përcjelljes së sinjalit telefonik, nuk përputhen aspak me tarifat e vendosura nga 5 kompania për qytetarët. Por, gjendja e infrastrukturës teknike, nëpërmjet të cilës përçohen dy shërbimet që ofron Albtelekom bie në kundërshtim me Ligjin Nr. 9918, dt. 19.5.2008 për Komunikimet elektronike. I cili përcakton se ofruesi i shërbimit të komunikimeve publike, duhet të sigurojë infrastrukturën efiçente në komunikimet elektronike për të garantuar shërbimet e duhura dhe të përshtatshme në një territor të caktuar. Ndërkaq, nga ana tjetër, rrjeti i komunikimeve elektronike, jo vetëm që është lënë në mëshirë të fatit, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë ndërhyrje në përmirësimin e rrjetit ekzistues. Sipas qytetarëve, sistemi i transmetimit të rrjetit të telekomunikacionit është teje i amortizuar, dhe kjo shpesh herë është bërë shkak në uljen e cilësisë së shërbimit.
Arta Agolli