Bollano dhe 2 punonjës të Bashkisë së Himarës, në ndjekje penale nga KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit çon për ndjeke penale në prokurori Vasillaq Bollanon dhe dy vartës të tij. Ekspertë të KLSH kanë konstatuar se gjatë tre viteve 2007, 2008, 2009 Bollano ka shkelur 273 herë ligjin për urbanistikën. Ndërkohë janë konstatuar shkelje
në lidhje me dhënien e objekteve pasuri shtetërore me qira në të paktën katër herë, të cilat arrijnë vlerën e 23.700 000 lekëve. Sipas raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit Vasillaq Bollano, Polimer Ruçi dhe Leopard Hysi gjatë përmbushjes së detyrës funksionale kanë kryer veprën penale të Shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar prokurorisë fillimin e procedimit penal në ngarkim të Bollanos dhe dy vartësve të tij dhe të personave të tjerë që organi i akuzës mund të zbardhë gjatë hetimit.
Lejet e ndërtimit
Në raportin e KLSH mësohet se në vitin 2007, Bashkia Himarë e përfaqësuar nga kryetari Vasillaq Bollano ka lidhur 13 herë kontrata për blerje karburanti. Përveç abuzimit me litrat e karburantit, KLSH ka konstatuar edhe abuzime me çmimin. Shkelje të shumta janë konstatuar nga KLSH edhe gjatë verifikimit të vitit 2007. Sipas raportit të KLSH për vitin 2007 nga Bashkia e Himarës, realizimi i buxhetit ka qenë në masën 69%, më i ulët se realizimi i një viti më parë. Në raport thuhet se nga verifikimi i shpenzimeve rezulton se ka mospërputhje në shifrat e planit midis buxhetit faktik dhe atij të planifikuar. Gjatë vitit 2007 janë marrë disa vendime të Këshillit Bashkiak për rialokime të fondeve dhe nuk është bërë asnjëherë analizë periodike e zbatimit të buxhetit ku sipas udhëzimit të zbatimit të buxhetit për 2007 duhej të ishte bërë të paktën njëherë në tre muaj. Nga kontrolli rezulton se mungon projektbuxheti dhe ka një vlerësim të kërkesave për investim për të përcaktuar prioritetet dhe dhënë një tablo transparente dhe profesionale Këshillit Bashkiak në procesin e vendimmarrjes. Përsa i përket realizimit të të ardhurave pavarësish se nuk disponojmë rakordimin me thesarin duke iu referuar buxhetit faktik rezulton në masën 87%. Mosrealizimi vjen si rezultat i punës së dobët e evidentuar kjo dhe në analizë por që nuk është marre asnjë mase për personat përgjegjës.
Shkeljet në vitin 2008
Sipas raportit të KLSH mësohet se në krahasim me dy vitet e mëparshme në këtë vit disponohet një projektbuxhet i miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak. Por ky projektbuxhet është formal dhe i paargumentuar në treguesit e buxhetit megjithëse pozitivisht është bërë dhe një parashikim për dy vitet pasardhëse sipas udhëzimit të përgatitjes së buxhetit. Në këtë projekt zërat kryesor si ai i investimeve me afat realizimi mbi një vit relatohen në shifrat 0 për dy vitet e ardhshme gjë që bie ndesh me udhëzimin e përgatitjes së buxhetit për vitin 2008. Për vitin 2008 nuk gjendet në Bashki buxheti faktik i miratuar. Nga kontrolli i ushtruar nga KLSH rezulton se në zyrat përkatëse në Bashki nuk ka asnjë bashkëpunim dhe si rezultat i një bashkëpunimi në procesin e hartimit të buxhetit domosdoshmëri kjo që kërkohet në ligjin e buxhetit për vitin 2008. Gjithashtu në raportin e KLSH thuhet se në këtë proces ka ndikuar negativisht dhe lëvizja e drejtuesve të zyrave sidomos në financë-buxhetin për vitin 2008.
Shkeljet në vitin 2006
Në raport thuhet se në bazë të kontrollit rezulton se në vitin 2006, objekt i kontrollit për këtë vit ka qenë tremujori i fundit, i cili përkon dhe me momentin e mbylljes së buxhetit për vitin 2006. Me vendim të Këshillit Bashkiak nr 14 datë 25.4.2007 është miratuar buxheti faktik për vitin 2006. Në datë 30.01.2007 është bërë rakordimi vjetor për të ardhurat dhe shpenzimet me degën e Thesarit në Vlorë. Në bazë të UMF për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2007 zyra e buxhet-financës duhej të paraqisje bilancin vjetor në Këshillin Bashkiak brenda datës 15 mars 2007 dhe të dërgohej në Prefekturë brenda datës 31 mars 2007, ndërkohë që afatet janë shkelur pasi miratimi i buxhetit faktik në këshill është bërë me 25.04.2007 me rreth një muaj vonesë. Shkelje janë bërë edhe në burimet financiare, që ka pasur Bashkia për vitin 206. Në total relatohet shuma 127 902 000 lekë, e cila është më e madhe në krahasim me buxhetin e miratuar në shumën 127 902 000 107 711 000 = 20 191 000 lekë, diferencë kjo që vjen nga fondet e trashëguara nga viti paraardhës, por që nuk është përfshirë në buxhetin në kundërshtim me ligjin e buxhetit të shteti dhe atij lokal. Realizimi i buxhetit total është i ulët në masën 77%, ku mos realizimin e tij e zë sektori i investimeve në masën 36%, studim projektesh nuk ka pasur fare, shpërdorimi për paga shkon në masën 81% ndërsa në analizën financiare nuk jepen arsyet ngase kanë ardhur këto mosrealizime por vetëm konstatohen ato. Në raportin e KLSH theksohet se në gjatë verifikimit të shpenzimeve vihet re mungesa e transparencës, paaftësi dhe mungesë serioziteti të cilat kanë ndikuar në vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak.
Shkeljet e Bollanos në fushën e urbanistikës
48 leje pa plan urbanistike
23 leje pa dokumente pronësie
9 leje pa aktmarrëveshje
11 leje pa dokumentacion mjedisor
28 leje pa lejen e studimit urbanistik
10 raste shkeli ligjin nr. 8405 datë 17.09. 1998
13 leje pa plotësuar formularin
20 leje ndërtimi në tokë bujqësore
68 leje pa miratim nga KRRTRSH
43 leje pa projektet e MKZ dhe projektet hidrike
Ish përgjegjësi i urbanistikës shkeli ligjin 245 herë
Polimeri Ruçi, me detyrë ish përgjegjës i zyrës së urbanistikës u konstatua me shkelje dhe mangësi në ushtrimin e detyrës së tij në fushën e urbanistikës në 245 raste në vitet 2006, 2007, 2008. Sipas raportit të KLSH mësohet se Ruçi ka shkelur rregullat në dhënien e lejeve të ndërtimit në 45 raste. Lejet janë dhënë pa pasur Plan të përgjithshëm rregullues dhe studimi. Sipas raportit Ruçi në 17 raste ka shkelur ligjin në miratimin e lejeve të ndërtimit pa u paraqitur dokumenti i pronësisë nga kërkuesi dhe lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Vlorë. Në raport paraqiten të detajuara të gjitha shkeljet e kryera nga Ruçi në tre vite radhazi.
Drejtori i urbanistikës shkeli ligjin në 60 raste
Leonard Hysi me detyrë drejtor i zyrës së urbanistikës së bashkisë dhe në cilësinë e sekretarit të sekretarisë teknike në KRRT-së së bashkisë për shkelje të konstatuar në fushën e urbanistikës për vitin 2008 në 60 raste. Sipas raportit të KLSH në 23 raste është shkelur ligji i miratimit në KRRT të Bashkisë të lejeve të shesheve dhe lejeve të ndërtimit pa pasur plan të përgjithshëm rregullues dhe studim urbanistik. Sipas raportit në 6 raste është shkelur ligji për miratimin e lejeve të ndërtimit pa u paraqitur dokumenti i pronësisë nga kërkuesi dhe lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive Vlorë.