Albtelekom grabit qytetarët, mashtron me shërbimin që paguhet
Problemet në kompaninë e shërbimit të telefonisë fikse dhe të internetit Albtelekom, duket se nuk kanë të sosur. Pas hulumtimeve të njëpasnjëshme të gazetës SOT është vënë re që shërbimet në këtë kompani janë me probleme serioze. Edhe pse shërbimi
ndaj kujdesit të klientëve në godinën kryesore të Albtelekomit funksionon dhe aty të zë syri punonjëset të cilat duken sikur janë në gadishmëri të plotë të qytetarëve, tjetër gjë konstaton kur tenton të bisedosh me sportelistet. Qytetarët të cilët janë të shumtë në numër e që nuk gjejnë zgjidhje qoftë, edhe për një problem të vogël, duket sikur janë te vetmit që nuk mund të komunikojmë me to. Sipas një vëzhgimi kryer ditën e djeshme nga gazeta, etika duket sikur është një hendek i madh midis abonentëve të Albtelekom dhe punonjësve të kësaj kompanie të cilët, në të shumtën e rasteve duket sikur janë të painformuara. Çështja pse linja është e dobët, verifikohet me faktin se nga ana e drejtorisë së Albtelekom nuk janë vendosur fibra optike dhe lidhja është bërë me muks. Dhe në një numër telefoni shpërndahen disa linja interneti. Ky është edhe shkaku që bllokon në njëfarë mënyre edhe ecurinë e sistemit të internetit nëpërmjet modemit ADSL. Sipas vetë këtyre punonjësve ankesat e qytetarëve përsa i përket lidhjes së numrave fiks, apo problemeve me rrjetin e me sinjalin, të telefonave, por edhe defekteve të linjës më të fundit të internetit ADSL, e cila për një periudhë të gjatë është ofruar nga kjo kompani me modem falas. Në lidhje me numrin më të madh të ankesave, që vijnë çdo ditë pranë zyrës së shërbimit të klientëve në godinën kryesore të Albtelekom, i përkasin vetëm këtij shërbimi. Por nuk mbeten pas edhe ankesat e shumta të qytetarëve të cilët kohët e fundit mesa duket janë tepër të indinjuar por edhe të lodhur me problemet e pafundme të linjave të telefonisë fikse dhe asaj të internetit. Kështu qytetarë të ndryshëm janë shprehur ditën e djeshme për gazetën SOT se linjat e telefonit fiks dhe asaj të internetit janë përherë me probleme serioze. Një qytetar i cili kishte rreth një muaj që kishte vendosur shërbimin e internetit ADSL, nëpërmjet ofertës së re të Albtelekom, tregon për gazetën se për dy javë ka ardhur disa herë në zyrën e ankesave të Albtelekom, dhe ende nuk ka marrë zgjidhje për ndërprerjet e vazhdueshme të internetit dhe gjithashtu linjën tepër të dobët të shërbimit të ofruar. Sipas këtij qytetari sistemi i internetit edhe pse ofrohet si shërbim me modem falas nga kompania ka probleme shumë serioze, dhe në të shumtën e kohës është jashtë funksionit pasi me të nuk mund të zgjidhësh asnjë punë. Ndër të tjera qytetari thekson faktin se edhe nëse defekti mund të rezaurohet për një kohë të shkurtër problemet nisin sërish. Është e pamundur të kesh internet nëpërmjet telefonit fiks, sepse kompania e Albtelekom e ka vënë ofertën me modem falas duke vënë në provë durimin tonë, ky sistem është jashtë funksionit, edhe pse vijmë e bëjmë ankesa pa fund, është e kotë sepse nga drejtoria nuk merret asnjë masë, dhe kjo është skandaloze. As më shumë e as më pak kjo ka qenë deklarata të dhënë ditën e djeshme për gazetën nga një prej abonentëve i cili kishte më shumë se 20 vjet që dispononte telefon fiks në familjen e tij. Qytetari me inicialet D. Vocaj tregon për gazetën se problemet janë shtuar së tepërmi qëkur kompania është shitur. Askund nuk merren parasysh ankesat tona duket sikur flasim në erë është e pamundur të zgjidhen problemet me linjat e telefonit e të internetit të cilat më shumë qëndrojnë të prishura sesa vihen në dispozicion të qytetarëve, tha për gazetën Vocaj. Sipas tij në shumicën e rasteve ashtu si edhe ai vetë, abonentët e ndërrojnë numrin e vjetër me një tjetër numër të ri sepse mendojnë se linja e telefonave do të jetë e rinovuar dhe sdo të ketë më probleme. Lidhur me këtë problem përpos faktit se numri i ri zgjat më shumë se dy javë që nga kërkesa, edhe kur vihet në dispozicion ky numër ka sërish probleme më linjën apo me sinjalin. Edhe në lidhje me këtë gjë nuk është marrë asnjë masë edhe pse ankesat janë të shumta. Përsa i përket, pagesës që duhet të bëjnë qytetarët përsa i përket ofertës më të fundit të cilën Albtelekom u ka vënë në dispozicion qytetarëve nëpërmjet rrjetit ADSL, ky shërbim kushton 2.50 lekë për minutë, për familjarët dhe 3. 25 lekë për minutë për të tjerët. Ky shërbim ofrohet dhe përcaktohet për minutë pasi modemi duhet patjetër të jetë i lidhur me telefonin fiks, lidhje e cila në të shumtën e kohës është shumë e ngadaltë, dhe me probleme të mëdha. Edhe pse në saitin zyrtar të kompanisë Albtelekom jepen të dhënë se aplikimi për shërbimin e Internetit (ADSL) është shumë i thjeshtë për tu pasur në shtëpi nga kushdo e në shërbim të qytetarëve të interesuar vihen në dispozicion edhe numra telefoni sërish gjasat janë të tilla që askush nuk përgjigjet kur qytetarët trokasin në dyert e kësaj kompanie. Në saitin zyrtar të kësaj kompanie në lidhje me defektet por edhe problemet e internetit apo të telefonit se , menaxhimi i defekteve do të kryhet nga operatorët e specializuar për zgjidhjen e problemeve ADSL, të cilët do tiu ofrojnë asistencën e nevojshme të gjithë qytetarëve për zgjidhjen e problemeve. Nëse për zgjidhjen e tyre është e nevojshme ndërhyrja e teknikës, atëherë problemi i klientëve do t'u dërgohet atyre dhe do të zgjidhet brenda 24 orëve, përveç rasteve të veçanta (madhore). Ndërkohë që neglizhimet e këtyre teknikëve janë një tjetër problem serioz për qytetarët.
Arta AGOLLI