E Diel, 1 Nëntor 2026

Albtelekom lë sportelet bosh për karta telefonike, matrapazët rrjepin qytetarët me çmimin 4 fish

Kartat telefonike për kabinat publike të vendosura nëpër rrugë, prej vitesh shiten në mënyrë të paligjshme dhe me çmim 4 herë më të lartë sesa vlera reale e tyre, nga tregtarë të paligjshëm në kryeqytet. Qytetarët e kryeqytetit, një impuls i cili kushton vetëm 6 lekë në zyrat postare, e blejnë me 25-30 lekë pranë kabinave telefonike të vendosura në rrugë. Ndërkaq, këto tregtarë të paligjshëm, shfrytëzojnë rastin, kur zyrat postare janë të mbyllura, apo kur në zyrat postare mungojnë kartat telefonike, dhe ua shesin këto të fundit qytetarëve me çmime disa herë më të larta, duke u shkaktuar kështu një dëm të madh ekonomik.Abonentët, në pamundësi për të blerë karta me 100 impulse, janë të detyruar ti blejnë ato pranë kabinave telefonike. Kabinat telefonike publike, nëpërmjet të cilave mund të kryhen të gjitha llojet e telefonatave brenda dhe jashtë vendit, lexojnë vetëm një model karte telefonike të Albtelekomit, e cila shitet nëpër zyrat postare në kryeqytet. Kabinat telefonike, paranë të cilave qëndrojnë shitësit e paligjshëm të kartave, janë vendosur në vende publike, sheshe, kryqëzime, para dhe në institucionet, në universitete, konvikte për nxënës dhe studentë, stacione të autobusëve dhe hekurudhore. Meqenëse, një pjesë e madhe e qytetarëve, për arsye ekonomike, për të kryer punët e ndryshme që kanë, parapëlqejnë që telefonatat me personat e interesuar ti kryejnë nëpër kabina telefonike. Kështu, nganjëherë, ata përballen me mungesën e kartave telefonike nëpër qendrat e zyrave postare, dhe gjithmonë përballen me çmimet 4- fish të kartave pranë kabinave telefonike. Si me familjen ashtu edhe me shoqërinë, në telefon celular apo fiks, më flas nga kabina telefonike, sepse më duket sikur shpenzoj më pak. Por, përkundrazi, kur kryej një telefonatë në drejt telefonit celular, çmimi është krejtësisht i papërballueshëm. Kam vajtur disa herë në zyrat postare dhe nuk kam gjetur karta të paktën me 50 impulseve, kështu për rrjedhojë jam detyruar që ti blejë impulset nga tregtarët pranë kabinave telefonike me çmime 3 fish më të larta, se sa mund ti merrja në postë. Kjo nuk është e drejtë, po kujt t;i ankohemi! pohoi Flori nga Gramshi, student për master në Tiranë. Qytetarët ankohen për çmimet absurde dhe të papërballueshme të impulseve të kartave telefonike nga tregtarë të paligjshëm nëpër rrugë, dhe shprehen të shqetësuar se në shumë raste, pranë zyrave postare ku shiten ligjërisht këto karta, nuk gjenden karta me 50 impulse, por vetëm me100 apo 200 impulse. Kjo ul mundësinë për të blerë kartat me shumë impulse dhe detyron qytetarët të blejnë karta me disa impulse në rrugë me çmime shumë herë më të larta sesa vlera reale. Megjithatë, ka edhe qytetar që, në pamundësi të një rruge më të lehtë, duan të kryejnë një telefonatë të shkurtër nga kabina telefonike, kështu për shumë arsye nuk drejtohen tek zyrat postare, por i blejnë impulset pranë kabinave publike. Meqë jo gjithmonë kam kredit të mjaftueshëm në celularë për të kryer një telefonatë të domosdoshme, shpeshherë detyrohem të kryej telefonatat nga kabinat publike. Aty shiten impulset tepër shtrenjtë. Të gjithë jemi vetëdijshëm për këtë. Për 5 sekonda bisedë ikën 100 lekëshin. Dhe jam e vetëdijshme që nuk ia vlen të flasësh në këto kabina publike, çdo ditë kryej telefonata, u shpreh për gazetën SOT, Eda Preci. Abuzimet me impulset e kartave telefonike, kanë qenë evidente prej kohesh në kryeqytet dhe ende vazhdojnë të funksionojë ky lloj shitje të impulseve, duke shkaktuar dëme të mëdha financiarëve, jo vetëm qytetarëve të thjeshtë, të cilët përballen dhe e vuajnë çdo ditë me këtë fenomen, por edhe buxhetit të shtetit, psi tregtarët që i shesin këto karta me 3-4 fish më shumë se vlera reale e tyre, nuk janë të pajisur me licencë nga bashkia për ta ushtruar këtë profesion. Kështu, puna e paligjshme shkakton dëme si tek qytetari ashtu edhe në shtet. Kategoritë që e vuajnë më shumë dëmin ekonomik të çmimit të kartave telefonike, duket që janë studentët dhe përgjithësish qytetarët me të ardhura të pakta.
Llojet e kartave telefonike dhe shitja e tyre
Aktualisht, në vend që të shiten pranë zyrave postare në kryeqytet, kartat e telefonike shiten nëpër rrugë, me çmime disa fish më të larta. Kompania Albtelekom, ka vendosur nëpër rrugët e kryeqytetit kabina telefonike publike, për tu shërbyer qytetarëve. Për të kryer telefonata në këto kabina, operohet me disa karta, çmimet e të cilave variojnë sipas numrit të impulseve që ato mbajnë. Aktualisht, në kabinat publike të vendosura nga kompania Albtelekom, operohet me këto karta: Karta Albtelekomit me 50 impulse, çmimi 350 lekë; karta Albtelekomit me 100 impulse, çmimi 600 lekë; karta Albtelekomit me 200 impulse; çmimi 1 100 lekë; kara Alban Tirana me çmim 500 lekë; karta Dimal me çmim 300; 500 dhe 1000 lekë; karta Planet me çmim 500 dhe 1000 lekë, karta Media Tel  me çmim 500 lekë. Kartat në fjalë, duhet të shiten në zyrat postare, por jo gjithmonë ndodh kështu. Ndërkaq, persona pa licencë, i blejnë me shumicë këto karta dhe ua shesin me impulse qytetarëve pranë kabinave telefonike, natyrisht, me çmime më të larta. Mesatarisht, pranë zyrave postare, apo pranë zyrave të kompanisë Albtelekom, një impuls shitet me 6 lekë, kurse pranë kabinave telefonike publike, një impulsit shitet 20-30 lekë.    

Last Updated on Monday, 30 March 2009 22:39

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›