E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i 2009-s, e djathta braktis mbledhjen

31/03/2009  Pas debateve të ashpra miratohen projektvendimet vetëm me përfaqësuesit e së majtës

Përfaqësuesit e maxhorancës braktisin mbledhjen e këshillit bashkiak pas refuzimit të kërkesës për rishqyrtimin dhe hedhjen në votë sërish të buxhetit të kryeqytetit për vitin 2009. Mbledhja e djeshme e këshillit është shoqëruar me debate të ashpra dhe akuza të ndërsjella të palëve për procedurën se si u pranua vlefshmëria e buxhetit (duke qenë se nuk ishte përshirë në rendin e ditës). Kjo situatë ka bërë që përfaqësuesit e grupimit të djathtë të ndërpresin seancën në shenjë proteste, teksa është kundërshtuar dhe miratimi i rendit të ditës. Gjithashtu në mbledhjen e djeshme përfaqësuesi i LZHK-së, Armando Ruça ka pohuar se nuk do të përfaqësojë më këtë forcë poltke në këshill.

Debatet

Menjëherë sapo është çelur seanca e djeshme, është kërkuar nga anëtarët e së djathtës në këshill që të bëhet transparencë në lidhje me procedurën e votimit të buxhetit në mbledhjen e shkuar. Përfaqësuesi i këtij grupi Ferdinand Pone ka pohuar se buxheti nuk është miratuar asnjëherë, se janë shkelur procedurat ligjore të votimit dhe se po tentohet të ushtrohet buxhet i jashtëligjshëm. Kjo deklaratë është kundërshtuar nga përfaqësuesit e së majtës, të cilët kan pohuar se votimi ishte më se i rregullt. “Si mund të kërkohet miratimi i strukturës së pagave për punonjësit e Bashkisë, kur ne në të vërtetë nuk kemi një strukturë apo organigramë të këtij aparati? Nuk mund të veprohet ashtu siç bëjnë dhe përfaqësuesit e KRRT-së, të cilët miratojnë leje ndërtimi duke mbyllur gojën vetëm në sigurimin e votave të duhura. Janë dhënë të paktën 15 leje në konflikt të plotë interesi, pasi këto të fundit u përkisnin studiove projektuese në të cilat bënin pjesë anëtarë të këshillit bashkiak”, - ka pohuar Pone. Ndërkohë është deklaruar se do të kërkohet ndjekje penale ndaj nënkryetarit të këshillit, i cili ka shkelur kompetencat duke dërguar shkresat në institucione. Këtë akuzë kryetari Dervishaj e ka hedhur poshtë, pasi ka deklaruar se ka autorizuar nënsekretarin të çojë shkresën në prefekturë.

Mbledhja

Pas braktisjes së mbledhjes nga përfaqësuesit e së djathtës, pas një gjysmë ore pushim seanca ka rifilluar sërish, ku janë miratuar projektvendimet e ditës, që kishin të bënin me çmimet e shërbimeve për taksitë dhe licencimin, si dhe miratimi i fondeve për zërin e pagave të punonjësve të aparatit të Bashkisë.

Flamur Ndoka

Përfaqësuesi i grupimit të djathtë në këshill, Flamur Ndoka, ka pohuar në mbledhje se grupimi i tij i këshilltarëve nuk do ta miratojnë buxhetin apo derivatet e tij të paraqitura sot në mbledhje pa pasur më parë në dorë një listë të projekteve apo investimeve të parashikuara për 2009-n. “Me aq sa është diskutuar buxheti, vihen re mungesa të theksuara të transparencës, pasi zëri i shpenzimeve është disa herë më i lartë se ai i investimeve, dhe kjo është absurde! Njëkohësisht janë 14 milionë euro që ende nuk dihet se për çfarë do të përdoren. Është thënë se këto do të shkojnë si fonde për komunitetin, por për çfarë konkretisht?” – është shprehur ai.

Erisa Xhixho

Lëvizja Socialiste për Integrim kësaj radhe ndryshon mendje. Nëpërmjet këshilltares së saj në këshillin bashkiak Erisa Xhixho, kjo forcë ka deklaruar se është pro miratimit të buxhetit. “Realisht detajimet e buxhetit duhej të na ishin dhënë më parë, por duke marrë parasysh faktin se kërkesat e paraqitura nga këshilltarët tanë në lidhje me transparencën e buxhetit dhe fondeve që do të shkojnë për shërbimet e komunitetit, konfirmoj qëndrimin e grupit tim pro këtij buxhetit dhe procedurës së votimit që çoi në miratimin e buxhetit në mbledhjen e 3 shkurtit. Ndërkohë këto detajime të paraqitura do të monitorohen rreptësishtë nga ana jonë.”

Petraq Simo

Prefekturës së Tiranës këshilli bashkiak i ka kthyer përgjigje nëpërmjet nënkryetarit të saj Petraq Simo, i cili thotë se me autorizim të plotë ka dërguar shkresën ku thuhej: “Bazuar në Kushtetutë, ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore’, këshilli bashkiak është autonom, si dhe nuk është në kompetencat tuaja të ndërhyni në çështje të faktit (të përdorimit të fondeve se ku shpenzohen ato dhe si argumentohet shpenzimi i tyre për zëra që janë të ligjshëm e për më tepër tradicional, siç janë pagat), por vetëm për çështje të ligjit, duke argumentuar në mënyrë të qëndrueshme se cili nen shprehimisht është shkelur.”

Bojaxhi

Janë cilësuar si abuzive veprimet e fundit të ndërmarra nga KRRT, e Tiranës, për miratimin e lejeve të ndërtimit. Sipas Gjergj Bojaxhi përveç faktit se këto mbledhje zhvillohen në mungesë transparence, jepen leje të cilat janë në konflikt interesi me anëtarët e këshillit, pasi shumica e lejeve fituese u përkasin studiove projektuese të vetë anëtarëve të këshillit. Ndërkohë që këto leje janë në kundërshtim edhe me Planin Rregullues të Tiranës, të cilin deri më sot nuk e kemi parë asnjëherë dhe nuk e dimë se çfarë realisht përfaqëson. Pse jepen leje miratimi, kur tashmë plani është miratuar?”, ka pohuar Bojaxhi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›