E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 2009, pa votat e anëtarëve të PD

Pas një odiseje të gjatë polemikash mes 3 forcave kryesore politike në vend, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar mbrëmë buxhetin e bashkisë 2009. Buxheti i Tiranës është miratuar nga Këshilli Bashkiak, pa votat e këshilltarëve të PD- së, të cilët u larguan nga mbledhja, pasi u refuzua kërkesa e tyre për të diskutuar këtë buxhet. Përveç anëtarëve të PS, pro buxhetit të Tiranës votuan edhe këshilltarët e LSI. Këshilltarët e majtë kanë deklaruar nga ana e tyre se miratimi i buxhetit ishte i ligjshëm. Ndërkohë që, Këshilli Bashkiak ka rrëzuar kërkesat e prefektit Ruzhdi Keçi, i cili ka shprehur rezerva për mënyrën e votimit në Këshillin Bashkiak. Pas refuzimit të kërkesës së këshilltarëve të PD- së, për të diskutuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës, këshilltarët e PD- së braktisën mbledhjen. Ata kanë pretenduar se në buxhetin për kryeqytetin ka më shumë shpenzime sesa investime, si dhe kanë kundërshtuar procedurat e miratimit të buxhetit. Procedura e fundit për të miratuar buxhetin e Tiranës ka dështuar. Nga ana tjetër, në KRRT ka kaluar plani rregullues i Tiranës, ndërkohë që ne se kemi parë ende, ka deklaruar këshilltari demokrat, Gjergj Bojaxhi. Gjithashtu, këshilltarët e PD- së, kërkuan që të zbardhej procesverbali i mbledhjes së kaluar ku u diskutua për buxhetin, kërkesë që gjithashtu u refuzua. Ferdinand Poni, këshilltar i PD- së, u shpreh se këshilltarët e PD- së kërkojnë tu paraqitet buxheti i Tiranës. "Duam të gjykohet plani rregullues. Duam të dimë sa do jenë shpenzimet", u shpreh Poni. Këto kërkesa, sipas Ponit bëhen për të rritur transparencën në Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, Besnik Bare, këshilltar i PS- së, duke iu drejtuar këshilltarëve të PD- së, u shpreh se pengimi i buxhetit bëhet për të sjellë konfuzion para zgjedhjeve. "Kërkoni të bëheni pengesë për gjithë atë që Bashkia e Tiranës i ofron kryeqytetit", tha Bare. Në sallën e Këshillit Bashkiak ishin të pranishëm mbrëmjen e djeshme 45 këshilltarë. Në rendin të ditës së mbledhjes së djeshme ishin përfshirë shqyrtim p/vendimi për miratimin e rregullores për organizimin e shërbimeve taksi, ai për tarifat që duhet t'u vihen shërbimeve taksi, mbi financimin e kuotës së anëtarësimit të Tiranës në shoqatën botërore të kryeqyteteve frankofone si dhe dy vendime për emërtime të reja në strukturën e bashkisë dhe të ndërmarrjeve në varësi të saj.
Kundërshtimet për projektbuxhetin
Projektbuxheti i vitit 2009, ishte një mësim i mirë për kryebashkiakun Edi Rama, që të jetë më transparent me zërat e shpërndarjes dhe investimeve të fondeve të bashkisë, të cilat grumbullohen nga taksat e qytetarëve. Si rrallë ndonjëherë, këtë vit anëtarët e forcave politike të LSI dhe PD, denoncuan një zëri abuzimet e Ramës në menaxhimin e buxhetit të bashkisë. Shkolla të rikonstruktuara, por të përfshira sërish për rindërtim, kopshte, çerdhe, rrugë, ndriçim, gjelbërim, ishin disa nga investimet e Ramës, të cilat në disa raste kishin qenë edhe vjet në planifikim për tu rinkonstruktuar por që fondet e tyre nuk dihet se ç vend kanë zënë, dhe një pjesë tjetër e tyre ishin rikonstruktuar realisht pavarësisht cilësisë, por që kryebashkiaku kërkonte të hidhtesërish para në to, duke lënë mënjanë qindra projekte të tjera të cilat as në të vërtetë nuk kishin njohur kurrë investimin e bashkisë. Të gjitha investimet e parashikuara për vitin 2009, Rama ka deklarua se i ka diskutuar me banorë të zonave të ndryshme në kryeqytet, por të vetmit që nuk i ka pyetur për këto investime, kanë qenë krerët e njësive bashkiake, të cilët më mirë se kushdo i dinë problemet e zonës që ata përfaqësojnë. Për këto e dhjetëra probleme e mangësi të tjera të konstatuara në projektbuxhet, anëtarët bashkiakë vendosën ta hedhin poshtë Ramën, aq herë sa ai të mos pranonte sugjerimet e tyre për rishikim të buxhetit. Buxheti i Bashkisë së Tiranës u votua më parë 3 herë kundër, në mbledhjet e këshillit bashkiak. gjatë votimit të parafundit për këtë projektbuxhet, kryebashkiaku Rama u përpoq me çdo kusht ta cilësonte të kaluar, por një gjë e tillë u kundërshtua fort si nga anëtarët bashkiakë kundër, ashtu edhe nga prefekti Ruzhdi Keçi. Me mbledhjen e djeshme, marrin fund edhe ankesat e Ramës, për bllokimet e projekteve të tij investuese në kryeqytet, me pretekstin e bllokimit të buxhetit.        

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›