E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO dhe dalldisja e zonjës Jozefina Topalli

Nga Bejdo MALO
Pse të jetë kaq e dalldisur dhe kaq entuziaste Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Kjo pyetje më ka rrahur si tokmak trurin  për tërë këto ditët e fundit. Nuk guxoj të hap dot televizorin sepse menjëherë në ekranin fluoreshent të televizorit shfaqet shumë entuziaste në kufijtë e dalldisjes zonja Jozefina Topalli. Sa për të mirat e hyrjes në NATO, nuk do të flas sepse e ka qarë zoti Fatos Lubonja, një ditë më parë në një opinion të tij. Problemi qëndron tek amplifikimi dhe frustimi që i bëhet një fenomeni gjeopolitik nga zonja Jozefina Topalli. Çfarë ti mungojë kësaj zonje që po kërkon me mish e me thonj ta kompensojë me entuziazmin e pranimit të Shqipërisë në NATO. Ajo nuk ka hyrë as nga dera e mbrapme as nga tarraca e PD. Ajo ka ardhur shumë natyrshëm në PD, i ka ngjitur shkallët butë-butë me stacione tepër të gjata, bindshëm duke arritur atje ku është sot, ku e ka zili çdo femër shqiptare.  Më kujtohet fare mirë mbërritja e saj në PD. Të vetmes që ju varën vetullat një ton dhe që u thartua ishte zonja Albina Karamitro, që asokohe e kryente detyrën në një zyrë të përbashkët me zotin Ridvan Bode. Unë që hyja 10 herë në ditë në PD, kryesisht për zotin Genc Pollo që ishte dhe nënkryetari i PD dhe që kishte zyrën përballë zotit Ridvan Bode dhe zonjës Albina Karamitro. Çoku u hidhja nga një kunj dy anëtarëve të lidershipit të PD, për ardhjen e zonjës më të rëndë dhe më fisnike në PD. Fjala është për zonjën Topalli. Për ta kompensuar këtë lloj xhelozie të dy anëtarëve të lidershipit kur gjeja vetëm zonjën Albina Karamitro në zyrë i thoshja: Mirdita zonja kryeministre. Kur gjeja vetëm zotin Ridvan Bode, i thoshja: Mirëmbrëma zoti Kryeministër. Vazhdoi rreth një vit kjo lloj shakaje deri sa një ditë që i gjeta të dy bashkë në zyrë miqësisht ma çorën maskën. Por për hir të së vërtetës, risia e PD në vitin 1997 ishte Jozefina Topalli, ashtu siç ishte risia e zotit Lulëzim Basha në vitin 2005. Tërë këtë rikthim mbrapa e bëra për shkak të fluksit të paparë të daljes së zonjës Jozefina Topalli në ekranet televizive në  këtë fundmuaji. Për shembull lajmi i takimit të zonjës Jozefina Topalli me banorë të Thumanës dhe të Mamurrasit për hyrjen e Shqipërisë në NATO, ditën e diel pasdite është shfaqur në rreth 15 televizione plot 72 herë. Mjafton ky fakt për t u ndjerë i tronditur. E njëjta gjë ndodhi dhe ditën e shtunë, por unë e zgjidha enigmën. Për t u shpëtuar  ekraneve të televizorëve dhe daljes së zonjës Jozefina në çdo orë, një lajm në çdo televizor, shkova tek zyra e degës së Partisë Demokratike, Dega Shkozet. Zyra ndodhet  diku përballë  Floridës ngjitur me restorant Hollyidein. Aty të paktën do të gjej ndonjë syresh që nuk do të  më flasë për probleme të tjera. Ashtu bëra dhe shpëtova. Një lloj vrapi të zonjës Topalli për protagonizëm të sforcuar nuk e kam shpjeguar dhe nuk e shpjegoj dot prej kohësh por së fundmi ai është bërë acarues. Arsyet  e këtij entuziazmi si çdo shqiptar besoj se burojnë nga tjetër arsye. Një lloj të tillë protagonizmi të përafërt e kam parë kur të majtët vunë në krye të Ministrisë së Integrimit, një farë Ernmelinda Meksi. O zot, ajo mori zjarr si baruti i thatë dhe thashë kaq e pati kjo punë. E tha kjo zonjë, Shqipëria tani është në BE. Por jo, nuk ndodhi kështu. Tani zonjës Ermelinda Meksit, më shumë i shoh me kureshtje ngjyrën e flokëve që bën në permanent, se sa fjalët që thotë në Parlament. Evidentimi i zonjës Topalli më erdhi dhe për një arsye tjetër.  Shikoj sa i matur është zoti Sali Berisha që për hir të së vërtetës (këtë ma kanë pohuar dhe liderët më të lartë të PS dhe të LSI, po e menaxhon në mënyrë të shkëlqyer fushatën e anëtarësimit në NATO). Ai me të vërtetë është protagonisti i kësaj ëndrre. Nga ana tjetër shikoj se shumë e matur dhe reale është dhe zonja Majlinda Bregu, e cila ka shumë arsye që të jetë zëdhënësja e Shqipërisë në NATO. Sa për Lulëzim Bashën, tani ai ka arritur të krijojë fizionominë e vet dhe nuk kam çfarë them. Është një përfaqësues interesant i diplomacisë shqiptare. Nisur nga tërë këto krahasime thashë ç të ketë zonja Topalli. Jep e merr dhe si jepja dot derman këtij lloj entuziazmi, i cili shkonte shumë e shumë më larg normales. Duke bluajtur këto lloj pyetjesh pa përgjigje më erdhi në mëndje një copëz bisede, kur një vit më parë në Bukuresht, zoti Sali Berisha mori ftesën. Ngjarja zhvillohej në Tiranën e Re në lokalin e atyre që kishin punësuar në Presidencën e kaluar zonjën e  ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Zonja Mediu, që kishte dalë për pazar zhvilloi pak a shumë këtë bisedë me miqtë e saj.
-Si jeni, si ja kaloni i thanë.
-Bashkëbiseduesit.- Flokët i ke bërë shumë bukur, të shkojnë.
-Faleminderit, ajo.
-Si i keni nga shtëpia- vazhduan bisedën bashkëbiseduesit e saj.
-Lërë tha ajo, këta maskarenjtë nuk e lanë Fatmirin që të merrte pjesë në Samitin e NATO- s.
Nuk ka rëndësi pjesa tjetër e bisedës se u shokova. U shokuan dhe ata që bashkëbisedonin me të.
O zot thashë. Mbaju të gjallëve mendtë e kokës, së për të vdekurit i paske çuar në parajsë.
Bëhej fjalë për 15 ditë pasi kishte ndodhur Gërdeci dhe atë ditë kishin mbërritur dhe dy viktima të vdekura nga Janina. Kishin shkuar në spitalin Haxhi Kosta për mjekim dhe  nuk kishin shpëtuar dot për shkak të djegieve të mëdha nga flakët e barutit. E kam rindërtuar me miliona herë këtë  bisedë dhe nuk jam qartësuar kurrë. Por atëherë kur e kisha harrur, futja në NATO ma rikujtoi. Nuk dua kurrë të gjej përafri me porcionin e zonjës Topalli sepse ajo në thelb është fisnike dhe e pastër dhe përkushtimin nuk ja vë askush në dyshim. Ajo që më shqetëson është gjestikulacioni dhe plastika që ajo demonstron në ekranet e televizionit. Një lloj euforie dhe një lloj frustimi që i kapërcen kufijtë e politikanes së pjekur të zgjuar të matur dhe  protagoniste e demokracisë në Shqipëri. Futja në NATO është futja në NATO, një zanat  60- vjeçar i fuqive të mëdha  dhe e dimë se cili është roli i Shqipërisë në të. Por ajo që shfaq zonja Topalli realisht më  fut në një dilemë të madhe. Protagonizmi i saj ka filluar që me dokumentin e Pavarësisë, që gjoja ajo zbuloi vazhdoi me dokumentet për Skënderbeun. Ajo e ka modelin e bariut të Parlamentit Shqiptar. Ka modelin e zotit Pjetër Arbënori. Me sa dinjitet e drejtoi dhe përcolli tërë ndryshimet e mëdha demokratike zoti Pjetër Arbënori si kryetar Parlamenti. Sinqerisht meriton homazh. Në thelb Partia Demokratike dhe tërë spektri politik shqiptar po mundohet ta përcjellë pranimin në NATO normalisht pa lajle e lule, pa patriotizimin revolucionar të kohës së dullës. Çuditërisht ky lloj patriotizmi revolucionar aspak i nevojshëm shfaqet tek një figurë e PD, që sinqerisht kemi shpresa të mëdha. Ajo padyshim që është figura e dytë e PD. Teprimi nuk është i mirë. E vetmja gjë që përputhet dhe Kurani dhe Bibla dhe Dhiata e Re është mësimi: Çdo gjë e tepërt  të kthehet në haram.

Last Updated on Monday, 30 March 2009 22:56

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›