E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët shtojnë fluksin e emigrantëve në Kakavijë

Afrimi i Pashkës Ortodokse, ka nxitur rritjen e numrit të emigrantëve në pikat kufitare në jug të vendit. Burimet policore nga Kakavija, kanë konfirmuar për gazetën SOT se gjatë 12 orëve të para të së enjtes, kanë ardhur në Shqipëri mbi 4000 shtetas shqiptarë si dhe 1200 automjete. Nuk janë konstatuar radhë të gjata qoftë nga ana greke dhe ajo shqiptare pasi

kjo e fundit ka dyfishuar kapacitetet përpunuese të dokumenteve. Nga tre sportele që egzistojnë në kohë normale, janë shtuar edhe katër të tjerë ndërkohë që në dalje të territorit shqiptar nga tre sportele, janë bërë pesë të tilla. Sipas zëdhënësit të Policisë Kufitare dhe asaj të Qarkut, Gentijan Mullai, nëse do të konstatohet fluks i madh i qytetarëve që do të qarkullojnë në Kakavije si nyja kryesore me Greqinë, priten të shtohen ende sportelet gjithmonë në varësi të situatës. Njëkohësisht në funksion të këtyre masave nga Drejtoria Rajonale e Kufirit, është kryer një takim me palën greke që edhe ata të marrin masa që të ketë lëvizje të njëtrajtshme duke bërë të mundur eleminimin e radhëve të gjata-është shprehur zëdhënësi i policisë duke shtuar se si rezultat i këtyre kontakteve, pala greke ka premtuar të njëjtin angazhim me homologët shqiptarë. Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit kanë rritur masat e përbashkëta si në pikat e kalimit edhe në kufirin e gjelbër me qëllim parandalimin dhe goditjen e të gjitha trafiqeve ilegale që mund të gjejnë terren zhvillimi si pasojë e fluksit të emigrantëve. Për këtë fakt janë dyfishuar shërbimet në pikat kufitare dhe në kufirin e gjelbër prej Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Qarkut dhe shërbimeve policore kufitare.


T. Hoxha

Last Updated on E Enjte, 01 Prill 2010 20:05

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›