E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albumet e stampuar tashme jashte mode

Fotografia është histori. Por në ditët e sotme dicka ka ndryshuar. Shumica e njerëzve kanë një aparat dixhital fotografik dhe fotot që shkrepim janë të pafundme, por mesa duket albumet e mirëfilltë kanë dalë tërësisht jashtë mode. Për të rinjtë e sotëm fjala album do të thotë dixhital, një folder në lap top ose publikimi i tyre në facebook.

Studiot grafike më të konsoliduara në Tiranë na pohojnë se tashmë janë shumë të paktë ata klientë që stampojnë fotografitë e blejnë albume. "Ka shumë rënie dhe besoj që pjesa dixhitale është fakt që ka ul punën. Shumë njerëz bëjnë shumë fotografi, por i ruajnë në kompjuter dhe pastaj i publikojnë në Facebook", thotë Fatmir Veseli, studio fotografike.

"Ka rënë shumë sepse njerëzit i shohin fotot në aparatet dixhitale dhe ikën kurioziteti i tyre dhe e dyta, sepse ekonomia ka filluar duke rënë. Megjithatë në film njerëzit ishin më kurioz për të parë se ca kishin bërë, ndërsa tani ikën kuriozitet, i duan fotot më të bukura, kjo më pëlqen, kjo s'më pëlqen i fusin dhe në kompjuter. Dhe pastaj kur digjet kompjuteri fillojnë të qajnë", Aida Baholli, studio fotografike.

Fenomeni është mëse i prekshëm. Të gjithë ne ruajmë kujtimet, momentet, castet në një aparaturë elektronike duke harruar se ndoshta një ditë ato mund të fshihen duke i lënë vendin harresës edhe për brezat që do të vijnë.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›