E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare krahason gjyqin e tij me “Procesin” e Kafkës

01/04/2010 Ironia: Një handikapat më thotë: “Mos shko, se të kanë dënuar”. Deklarata e plotë

TIRANË- Aldo Bare, në deklarimet e rralla të gjyqit të tij, dje ironizoi gjyqtarët, duke thënë se e gjithë kjo që po luhet këtu është një farsë, një proces i montuar nga shteti. Ai kishte vendosur të mos merrte pjesë në seancë gjyqësore, duke i dhënë të gjitha të drejtat avokatit të tij mbrojtës Vladimir Meçi. Por rrëzimi i kërkesave të numrit një të bandës së Lushnjës për heqjen e masës së sigurimit, pavlefshmëri të akteve të hetimit dhe e fundit gjykim të shkurtuar, e detyroi të paraqitej në sallën e gjyqit. Në orën 10.45, Aldo Bare, i quajtur ndryshe Alfred Shkurti, hyri në kafazin e hekurt. Takohet me avokatin Vladimir Meçi dhe më pas zë vend në një prej karrigeve, i rrethuar nga forcat e policisë. Me hyrjen në sallë të trupit gjykues, që kryesohet nga Fatmira Hajdari, Bare reagoi. Ai kërkoi fjalën, por fillimisht kryesuesja e seancës bëri verifikimin e palëve për të kaluar më pas tek emrat e dëshmitarëve që ishin lajmëruar. Përsëri Bare reagon dhe kërkon fjalën. “Zonja gjyqtare, të lutem, dua të flas!”, tha Bare. Hajdari i bëri të ditur se në bazë të ligjit ka të drejtë të bëjë deklarime në çdo fazë të shqyrtimit gjyqësor. Por Bare sërish reagon dhe kërkon fjalën, edhe pse Hajdari këmbëngul që të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe vazhdimin e procesit. Pas këmbënguljes së tij, i jepet fjala.

Ironia me gjyqtarët

Bare ngrihet më këmbë dhe në gjithë deklaratën e tij flet me ironi të theksuar, duke thënë: “Faleminderit që më dhatë mundësinë të flas! Para se të nisë ky proces gjyqësor, dua të them se e gjithë kjo që po luhet këtu është një farsë, një proces i montuar nga shteti. Dua t’ju falënderoj që më keni dhënë kurajën duke u mirinformuar brenda në qelitë e burgut që u përngjajnë atyre të Kafkës dhe Dantes, për gjithë këtë dosje voluminoze. Dua t’ju falënderoj për tri vendimet e pafajësisë që keni dhënë ndaj meje. Jeni e vetmja gjykatë që keni dhënë tri pafajësi. Në burg edhe një handikapat më thotë: ‘Mos shko në gjykatë, se vendimi është marrë tani!’ Këto vendime edhe i madhi Kafka do t’i kishte zili”. Pas kësaj deklarate ironizuese, Bare ulet në karrige për të dëgjuar më tej.

Dëshmitarët

I vetmi dëshmitar i paraqitur dje në sallën e gjyqit larg vëmendjes së medias dhe publikut, ka qenë Arben Kicja, dëshmitar i mbrojtur nga drejtësia. Kicja foli për gati katër orë në gjykatë, me anë të videokonferencës, pa u ndeshur përballë me Aldo Baren. Ndërkohë që dëshmitarët e tjerë: Gramoz Selmani, Afrim Daja, Dritan Gjyla, Alfred Gjyla, Lorenc Daja, sipas gjykatës ndodhen në Greqi. Pas deklarimit se është paraqitur dëshmitari i drejtësisë, Arben Kicja, Bare ka reaguar sërish. “Ky dëshmitar nuk e di as vetë se për çfarë do të flasë. Ai nuk është as në hasmëri dhe nuk e kuptoj këtë komedi të turpit. Nuk e di kush e ka mbrojtur. Nga Agron Kuliqi mbrohet ai?”, tha Bare, të cilit iu ndërpre fjala nga gjyqtarja Hajdari. Kjo e fundit mori parasysh kërkesën e prokurorisë për të zhvilluar seancën me dyer të mbyllura.

Dëshmia e të penduarit Arben Kicja

“Bare vrau Demirin dhe urdhëroi eliminimin tim”

TIRANË- Nën masa të rrepta sigurie, larg vëmendjes së medias, u fut në Gjykatën e Krimeve të Rënda një nga dy bashkëpunëtorët e drejtësisë, që kanë zbërthyer krimet e bandës së Lushnjës. Prokuroria siguron një tjetër dëshmi që hedh dritë mbi krimet e bandës së Lushnjës. Ndonëse gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, mësuam se Arben Kicja ka folur për atentatin që i është bërë më 16 nëntor të vitit 2003. Ai ka thënë se ka qenë viktimë e një atentati, prej të cilit mbeti e plagosur dhe bashkëshortja e shqiptaro-maqedonasit Xhevdet Demiri, i vrarë nga pjesëtarët e kësaj bande më 3 gusht të vitit 1997. Për këtë episod Kicja ka dëshmuar kundër të pandehurve. Ka pohuar se kishte parë që Aldo Bare, kreu i bandës së Lushnjës, të ishte pjesëmarrës në ekzekutimin e tregtarit shqiptaro-maqedonas Xhevdet Demiri, në gusht të vitit 1997. Ndërsa Arben Boriçi nuk ka marrë pjesë direkt në ekzekutim, por i priste katër shokët e tij pak metra më poshtë, majtas, në një "Benz" të zi, me të cilin ata kishin ardhur. Kicja jep hollësi për mënyrën e vrasjes dhe autorët e saj. Prokuroria siguron një tjetër dëshmi që hedh dritë mbi krimet e bandës së Lushnjës. Ndërkohë që bëhet e ditur nga burime brenda sallës së Kicja ka dhënë hollësi të shumta për këto ngjarje, që kanë lidhje me vrasjen e Tur Dajës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›