E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e përshkallëzuar e pensioneve për 2010-ën

01/04/2010 Skema e ndryshueshmërisë së të ardhurave për pensionet minimale dhe ato maksimale

Skema e rritjes së pensioneve edhe për 2010-ën do të jetë e përshkallëzuar, çka do të thotë se rritja maksimale do të shkojë për pensionet e ulëta të fshatit. Megjithatë, rritja do të prekë edhe pensionet e qytetit, por në një masë më të vogël. Për vitin 2010 është konfirmuar zyrtarisht se skema e rritjes së pagesave për pensionistët do të variojë nga 7 për qind deri në 15 për qind. Sipas ndarjes së bërë, për qytetin parashikohet që të ketë një rritje në muajin korrik të këtij viti me 7 për qind, ndërsa për pensionistët që jetojnë në fshat rritja do të jetë më e lartë, përkatësisht me 15 për qind të masës aktuale. Kjo bëhet që të realizohet objektivi i përcaktuar për barazimin e masës së pensionit që shpërndahet për fshatin dhe për qytetin. Vendimi për rritjen e masës së përfitimit për këto kategori do të pasohet me rritje të tjera të diferencuara edhe përgjatë viteve të ardhshme, deri në momentin e barazimit të masës së pensioneve ndërmjet fshatit e qytetit. Mbështetur edhe në parashikimet e projektbuxhetit afatmesëm për vitet e ardhshme, përcaktohet se rritja e pensioneve për 2011-ën, 2012-ën e 2013-ën do të vijojë në 6 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin. Për tre vitet e ardhshme masa e rritjes do të jetë në favor të pensioneve minimale. Kategoritë që duke filluar nga viti i shkuar e deri në 2012-ën do të plotësojnë kriteret e daljes në pension, përveç kësaj rritjeje, do të jenë përfitues të masave të akorduara më parë sipas periudhave përkatëse. Gjithashtu masës së pensionit dhe shtesës që do të bëhet gradualisht do t’u shtohen edhe kompensimet e energjisë dhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të Qeverisë. Në këtë drejtim, rritja e pensioneve, përveç shtimit të të ardhurave personale të vetë pensionistëve, ka si qëllim që t’u jepet një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t’u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara. Strategjia parashikon mbështetjen edhe për një kategori të caktuar, siç janë fermerët. Për këta të fundit është parashikuar që krahas rritjes së kontributeve, njëkohësisht do të vazhdojë edhe subvencioni nga buxheti i shtetit për kontributet që paguajnë fermerët, me synimin që ata që do të dalin në pension në vitin 2013, do të kenë kushte të njëjta me pensionistët e qytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›