Aldo Bumçi: Qëndrimet e opozitës, synojnë të prodhojnë krizë dhe ngërç institucional

Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi e ka cilësuar votimin në parlament për zgjedhjen e Elvis Cefës në përputhje të plotë me rregulloren e Kuvendit.
Sipas deputetit demokrat opozita bëri përpjekje për të bllokuar votimin, ndërsa tha ai, parlamenti funksionon sipas rregullores së tij 20 vjeçare. Për deputetin demokrat, u pa qartë se akuzat politike të Edi Ramës janë pa asnjë bazë konkrete dhe këtë e tregoi me kandidimin për në KLD të ish prokurorit Ardian Visha, avokati i Fatmir Mediut në çështjen “Gërdeci”.
Sipas Bumçit, është i njohur botërisht qëndrimi i Ramës ndaj Mediut, me akuza nga më të ndryshmet. “Nuk është absolutisht problemi tek personat e tjerë, por ky person që pretendon se është kryetari i opozitës dhe synon të sjellë PS-në në qeverisje, çfarë standardesh sjell dhe ofron? Absolutisht asgjë. Karakteri i tij i paqëndrueshëm dhe që nuk ka një bosht vlerash parimore. Kandidatura e sjellë prej tij, bën edhe kontrastin politik të kryesocialistit. Ardian Visha është avokati i Fatmir Mediut në çështjen ‘Gërdeci’ dhe kjo kuptojmë se akuzat e z.Rama, akuzat nga më të ndryshmet dhe nga më monstruozet janë të pabaza”, u shpreh Bumçi.
Ai iu referua dhe votës së LSI për vendin vakant në KLD. “PD dhe LSI ka shprehur pikëpamje të ndryshme për kandidaturat në gjyqësor”. Bumçi tha se mazhoranca nuk kishte tendenca për prishjen e votimit dhe se votimi elektronik garanton fshehtësinë e votës.
Sipas tij, dyshime për paqëndrueshmëri të votave kishte opozita. “Dyshimet për paqëndrueshmërinë e votave ishin për deputetët e opozitës dhe jo për mazhorancën”, tha ai.
Për ministrin Bumçi e rëndësishme është që në parlament të vazhdojë bashkëpunimi për reformat.
Sipas tij, nëse opozita mendon t’i rikthehet politikës së bllokimit, ajo është sovrane, por përgjigjen e ka marrë njëherë më 8 maj. “Shpresoj të harrohet dhe ne të vijojmë bashkëpunimin që kemi nisur për reformat. Nëse Rama dëshiron të përdorë si justifikim këtë votim, atëherë opozita është sovrane dhe sjellja e saj e ka marrë njëherë përgjigjen dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e 8 majit me 140 mijë vota më pak”, tha më tej ai.