E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Përqasja e legjislacionit shqiptar me atë të BE, parlamenti ka tagrin e ndryshimeve”

15-04-2012 / Gazeta 55

Flet Drejtori për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Integrimit

Përafrimi i legjislacionit të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian, kalon projektligjet e Këshillit të Ministrave nën filtrin e ekspertizës europiane. Projektligjet përpara se të shkojnë në mbledhjen e qeverisë konsultohen me ekspertët e huaj në Tiranë, ose me ekspertët në Bruksel për përshtatjen e draft-ligjeve të cilat kthehen në ligje pasi kalojnë në filtrin e fundit në parlament. Drejtori për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Integrimit thotë në një deklaratë për mediat se përafrimi bëhet për çdo nismë ligjore që vjen nga qeveria.
Sipas tij, konsultimi për një projektligj kërkon kohë nga 3 javë deri në një muaj. “Nëse ka asistencë aktuale në vend sigurisht që këto draft ligje konsultohen me to. Në rastet e fushave specifike që ndoshta mund të mos ketë asistencë të drejt për drejt sigurisht merr masa, sipas nevojës, që konsultohet edhe me ekspertët e BE nëpërmjet instrumenteve të caktuara, nëpërmjet ministrisë së Integrimit, me kërkesa specifike dhe kjo gjë ndodh. Procedurat për kërkesa të tilla nuk është se zgjat shumë, po ta kapim në aspektin formal duke e krahasuar me praktika të tjera. Zakonisht zgjasin rreth 3 javë, ose një muaj”, thotë Naim Hushi, Drejtor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Integrimit.
Projektligjet më të fundit që kanë kaluar nën filtrin e ekspertëve të vendeve anëtare të BE-së janë ato që kanë munduar politikën deri në gjetjen e një konsensusi. “Kodet e rëndësishme siç e kërkonin miratimin me 3/5 në Kuvend. Gjithashtu janë miratuar një sërë ndryshimesh në kodin penal dhe civil të cilët i përmend për vetë faktin se këto janë detyrime të drejt për drejta që vijnë nga proceset tona integruese”, shpjegon Hushi.
Interferenca e deputetëve në komisionet parlamentare, a ka devijuar përshtatjen e këtyre projektligjeve si Kodin penal apo Civil nga kërkesat e Bashkimit Europian. “Sigurisht që deputetët e zgjedhur kanë tagrin dhe është në autoritetin e tyre që të bëjnë çdo lloj ndryshimi ligjor. Çfarë na del ne si detyrë, çfarë ne mundohemi të arrijmë të bëjmë gjatë këtyre diskutimeve është që t’i ndërgjegjësojmë”, thotë Hushi.
Hushi thotë gjithashtu se projektligjet nuk kopjohen nga ligjet e Bashkimit Europian, por përshtaten dhe përafrohen pa humbur thelbin e tyre. Ndërsa referuar rregulloreve të Bashkimit Europian për vendet anëtare të cilat aplikohen automatikisht për vendet anëtare, Shqipëria si vend kandidat në pritje i përshtat ato me një akt normativ.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›