Aldo Bumçi: Rama po lan duart si Ponc Pilati
PD-ja ka reaguar dje ndaj akuzave të PS-së ndaj ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Deputeti Aldo Bumçi tha se “Edi Rama pas formulimit në zyrat e tij të aktakuzave politike për rrugën Durrës-Morinë, mendon se mund të lajë duart si Ponc Pilati, duke u fshehur pas shërbesave të mercenarëve të keqpërdorur”. Ai bëri të ditur se Partia Demokratike i jep mbështetje të plotë dhe të padiskutueshme qeverisë dhe ministrit Basha. “PD-ja deklaron se rruga është kryevepra e qeverisjes së saj, është arritje historike për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, është kryevepra e shekullit. Është tmerri dhe turpi historik i Ramës dhe mercenarëve të keqpërdorur prej tij që në një verbim politik të paprecedent morën përsipër gjykimin e akteve kolektive, duke shkelur vendimet e gjykatës e duke u faktuar shqiptarëve amoralitetin e tyre të plotë. Ky akt i turpshëm është dëshmi e qartë dhe e pastër se asgjë nuk qetëson dot tmerrin që ata kanë nga ndërtimi i korridorit të shqiptarëve”, - tha Bumçi, duke folur në emër të partisë në pushtet. Ai përfundoi duke i kujtuar kreut të PS-së se “asgjë s’mund të fshehë formulimin e akuzave politike në zyrën e tij dhe shpalljen e tyre nga mercenarë të cilët shkelmojnë mbi ligjin dhe veten e tyre”.