E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Rama ka trilluar akuzat

Tiranë (start)-Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka zgjedhur një konferencë shtypi për ti dhënë përgjigje akuzave të ngritura ndaj tij,për shpërdorime fondesh në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Ministri Basha ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste, ai që qëndron pas akuzave të ngritura ndaj tij.

“Ndërkohë qe arteria e kombit çdo dite i afrohet përfundimit te saj, Edi Rama dhe mercenaret e tij, ata qe për 8 vjet me radhë penguan ndërtimin e saj duke mashtruar për 8 vjet Shqipërinë dhe Kosovën, ata qe pas humbjes se pushtetit nisen sulmin e tyre për te nxire, përbaltur dhe denigruar projektin me te madh në historinë e vendit, sot janë angazhuar në një sulm të egër dhe të paprecedent, në një proces të pastër politik i cili po komprometon rende detyrimet ligjore te prokurorisë shqiptare para Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe shtetit ligjor”-tha ministri Basha para gazetarëve.

Më tej, në vijim të akuzave ndaj opozitës, Basha tha se për të mashtruar shqiptarët për Kosovën u vendos edhe një taksë për ndërtimin e rrugës e cila ne total arriti një vlerë prej 300 milionë dollarësh por nuk u përdorën as edhe 4 milionë për projektin dhe kjo sepse rruga duhej te bllokohej me çdo kusht dhe çdo çmim nga ata qe me përfundimin e rrugës shohin fundin e tyre apo të planeve të tyre antishqiptare.

Pak pas fillimit te punimeve-vijoi Basha, Edi Rama nisi sulmin e egër ndaj këtij projekti të shekullit. “I ndërgjegjshëm se përfundimi i rrugës Durrës-Kukës komprometon rëndë të ardhmen e tij politike, ky pinjoll i denje i Dushan Mugoshes dhe Koci Xoxes mori stafetën nga ata që për 8 vjet penguan me çdo kusht ndërtimin e rrugës dhe mobilizoi mercenaret e tij për të nxirë dhe përbaltur këtë projekt gjigant”-nënvizoi Basha.

Më pas, shefi i diplomacisë shqiptare tha se me një sulm të pastër politik mercenaret e Edi Rames dhe ndokujt tjetër brenda prokurorisë morën akuzat e fabrikuara nga zyrat e Edi Ramës dhe i riprodhuan ato, tashme me stemën e prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›