E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi dhe Milo zgjedhin PS-në



Kur kanë mbetur dhe pak muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare, po përvijohen qartë dhe aleancat në kampin e majtë që rezulton i përçarë mes dy forcave kryesore, PS-së dhe LSI-së. Ndërkohë, duket se Skënder Gjinushi i PSD-së nuk ka më mëdyshje për aleancën me PS-në, por kësaj aleance po i bashkohet dhe një nga politikanët që ka qëndruar më pranë LSI-së, Paskal Milo i PDS-së. I ndodhur mes dy ofertash, si nga PS edhe nga LSI, duket se Milo ka preferuar të zgjedhë PS-në dhe kjo u pa qartë dhe në mospërfshirjen e tij në protestën e partive të vogla kundër Kodit Zgjedhor. Megjithëse Milo është në grupin parlamentar të LSI-së në Parlament, ai dje ka qenë krah Ramës në festën e 29 Nëntorit, duke dëshmuar kështu se mes tij dhe kreut të PS-së ka një frymë mirëkuptimi, megjithëse nuk është deklaruar ndonjë marrëveshje e mundshme parazgjehdore. Ndërkaq, PS-ja kishte organizuar dje dhe një takim të veçantë festiv me veterane dhe veteranë nga e gjithë Shqipëria në kujtim dhe nderim të veprës së tyre. Duke vlerësuar veteranët, Rama tha se “në 8 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës, kam pritur dhe përcjellë shumë njerëz, po ndër ta, ata që nuk do t’i harroj kurrë, janë veteranët dhe veteranet e Luftës së Dytë Botërore, të cilët kanë trokitur dhe vazhdojnë të trokasin në derën time jo rrallë, por asnjëherë nuk e kanë bërë këtë për arsye personale. Asnjëherë nuk e kanë bërë këtë për të zgjidhur halle apo për të kërkuar favore, por gjithmonë për të ngritur shqetësime të komunitetit ku jetojnë. Ky idealizëm që vazhdon dhe mbartet prej të gjithëve ju, është sot më i domosdoshëm se asnjëherë tjetër për Shqipërinë që duam të ndërtojmë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›