Dita e Dëshmorëve, Rama afron pranë vetes kritizerët
Ftesë Agollit, Mejdanit e Pëllumbit
Rama foli për bashkim, por nuk ftoi Metën
Edi Rama ka zgjedhur Ditën e Dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare për të afruar pranë vetes kritizerët më të fortë në parti e që janë njëkohësisht figurat më me peshë në radhët e socialistëve. Dritëro Agolli, Rexhep Mejdani dhe Servet Pëllumbi ishin krah tij në ceremoninë e zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e 29 Nëntorit, por aty mungonte një nga figurat kryesore të së majtës, e pikërisht Ilir Meta i LSI-së. Rama foli për bashkim, por nuk ka tentuar të bashkohej me ish-aleatin e tij, qoftë dhe një ditë si kjo, ku e majta nderon të rënët në Luftën e Dytë Botërore veçmas nga e djathta që e bën këtë nderim më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë. Madje, Meta e akuzoi PS-në për mungesën e një axhende të përbashkët në këtë ditë.
Ceremonia
Me tre kolosët e PS-së në krah të tij, Edi Rama ka tentuar të ngrejë sadopak reputacionin e tij në publik pas grevës së urisë së deputetëve të LSI-së që akuzonin drejtpërsëdrejti atë për mosbashkëpunim për Kodin e ri Zgjedhor. Shkrimtari Dritëro Agolli ishte një nga ata që e kritikoi hapur në media disa herë Ramën për heshtjen e tij ndaj kësaj greve, ndërkohë që vlerësoi sakrifikimin e deputetëve. Gjithashtu, ai ka theksuar se nëse vazhdojnë të qëndrojnë të ndarë, PS e LSI, e majta humbet zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Por me një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e 29 Nëntorit Rama ka pasur të paktën fizikisht si mbështetës këtë figurë të së majtës, që jo rrallëherë liderët e partisë e kanë kërkuar ta kenë si mbështetës, duke e konsideruar si një zë të rëndësishëm në parti. Madje ai foli dhe për bashkim, duke iu drejtuar që në krye të fjalimit me fjalët “I dashur Dritëro”, por nuk foli për bashkimin që kërkonte shkrimtari, por për një bashkim jashtë së majtës, të cilin Rama e quan herë pas here bashkim me qytetarët. Pasi solli në kujtesë dy histori të familjes së tij, për dy kushërinj, njëri i vrarë në luftë e tjetri i pushkatuar nga diktatura, Rama tha se “arsyet që i ndanë shqiptarët në të shkuarën, nuk janë arsye për të ndarë fëmijët tanë në të ardhmen”. Megjithëse ashtu siç bën rëndom, nuk e përmendi emrin e kreut të LSI-së, kryesocialisti thumboi atë kur tha: “Duke parë tek njëri-tjetri një arsye për t’u respektuar, dhe jo një arsye për t’i treguar njëri-tjetrit ato anë të papëlqyeshme të natyrës njerëzore, të cilat politika e vjetër shqiptare i ka nxjerrë në pah, në një skenë ku në vend që njerëzit të diskutojnë për të mirën e atyre që përfaqësojnë, rëndom kacafyten thjesht për karriera dhe privilegje personale”. Ndërkohë, Mejdani po ashtu është shfaqur kritik në disa shkrime në gazetat e përditshme, kurse Pëllumbi është një kritizer i hershëm i kreut të ri socialist për mënyrën se si ai po drejton partinë. Madje teorinë bazë të Ramës, si politika e re përtej së majtës e së djathtës, profesori i socialistëve e ka cilësuar hapur si të gabuar dhe të dëmshme për PS-në.