Aldrin Dalipi: 100 ditët e Bashës, 100% mashtrime
(I përditësuar)- Kreu i këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës, me anë të një deklarate për mediat reagoi sot pas deklaratës së Lulzim Bashës për bilancin e punës për 100 ditët e para.
Dalipi u shpreh se Basha e vodhi mandatin e Bashkisë për t`u sjellë si pushtues, duke larguar në mënyrë të padrejtë njerëz nga puna, duke mashtruar për hipotekimet e pallateve dhe duke shkatërruar projektin e sheshit qendror të Tiranës.
Ishim vëzhgues të vëmendshëm të 100 ditëve të dështimit dhe mashtrimit të kryetarit të emëruar të bashkisë së Tiranës. E vërteta është se në 100 ditë administrata e dalë nga zgjedhjet e grabitura të 8 majit është sjellë si një pushtuese, duke menduar se mund të bëj çfarë të dojë me qytetin dhe bashkinë, theksoi Dalipi për mediat.
Ja çfarë ndodhi në 100 ditët e dështimit të Bashës:
1. Largime dhe përndjekje politike të qindra punonjësve, nga nivelet
më të larta të administratës deri në punonjësit e shërbimit dhe pastrimit,
duke ndërruar profesionistë të aftë e të trajnuar, me militantë politik pa
lidhje me profesionin apo detyrat e administrimit të bashkisë.
2. Pazare politike për të ndarë me përqindje (25%) bashkinë e Tiranës
si plaçkë lufte, për interesa korruptive.
3. Sulme verbale dhe fizike ndaj punonjësve të aftë të baskisë, duke
kulmuar në dhunë ndaj dy zonjave, punonjëse në zyrën e tatim-taksave.
4. Përdorje e zyrtarëve të bashkisë për të dhunuar ambientet e
Televizionit Kombëtar, Top- Channel.
5. Mashtrim publik, me gjoja heqjen e taksave kur qytetarët e Tiranës
paguajnë vetëm 2 taksa të cilat nuk u ulen.
6. Shpërdorimi prej miliona eurosh me projektin e sheshit Skënderbej, i aprovuar dhe miratuar nga të gjitha instancat përfshi dhe qeverinë e zotit Basha. Ky shpërdorim pa asnjë procedurë, planifikim apo aprovim ka çuar dëm para të qytetarëve të Tiranës, mjaftueshëm për të ndërtuar 2 shkolla, rikonstruktuar 10 çerdhe, rikonstruktuar 5 qendra shëndetësore, shërbime që qyteti ka nevojë.
7. Mashtrimi me gjoja hipotekimin e pallateve ndërkohë që sot Zoti Basha pranoi publikisht që gënjeu për lejet e shfrytëzimit të banesave për hipotekim, nuk i ka firmosur ai, pra i ka firmosur zoti Rama. Por zoti Basha duhet t`u thotë qytetarëve të Tiranës përse ai dhe qeveria ku ka qenë ministër e bllokuan për shumë vite hipotekimin e banesave në zyrat e qeverisë, ashtu siç bllokoi bashkinë e Tiranës për dy vjet.
****
Basha: Për hipotekat do mbaj premtimin
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka mbajtur një konferencë për shtyp me rastin e 100 ditëve të para të detyrës. Basha në fjalën e tij theksoi se ka arritur të objektivat ndonëse grupi i tij i punës është penguar nga një numër arsyesh.
Kreu i bashkisë së kryeqytetit u ndal tek procesi që konsiderohet më i rëndësishmi, hipotekimi i apartamenteve të reja. Ai tha se ky premtim do të realizohet brenda në afatin e përcaktuar kujtojmë se gjatë fushatës Basha premtoi se qytetarët do të kenë në dorë hipotekat brenda 6 muajve nga marrja e detyrës së kryebashkiakut nga ai.
Ka përfunduar faza e parë e hipotekave. Faza e dytë do të përfundoi për një periudhë 3-4 javore. Ndërsa faza e tretë është në rrugë të drejtë të zgjidhjes. Premtimi do të mbahet plotësisht duke i hapur rrugën hipotekimit brenda afati të premtuar, u shpreh Basha.
Ai nuk pranoi të komentoi akuzat e këshilltarëve socialistë në Bashkinë e Tiranës duke u shprehur se Nuk dua të harxhoj kohë me kundër akuza. Ky proces do të realizohet. Bëhet fjalë për 120 000 mijë qytetar që presin zgjidhjen e problemi jo sherr politik.