Aleanca- Bankës Botërore: Jo TEC-e në Vlorë
Protesta ka mbledhur qindra qytetarë në përpara pallatit të sportit, që i kanë thënë sërish JO veprave të naftës
VLORË- "Banka Botërore- JO TEC", Duam referendum, Vlora do të jetë turistike", kanë qenë disa nga parullat që janë hedhur në protestën e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Protesta e zhvilluar dje ka pasur si qëllim, sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar se financueses së projektit se qyteti i Vlorës nuk dëshiron vepra me bazë në nafte. Një memorandum për Bankën Botërore është lexuar dje në protestë nga përfaqësuesi i AMGJ, Sinan Ibro. Pasi ka bërë një përmbledhje të tre viteve ku i është thënë JO, veprave me bazë nafte, Memorandumi ka sjellë në vëmendje se pikërisht Banka Botërore është kreditore për veprën dhe ky TEC, është i bashkëlidhur dhe me ndërtimin e disa TEC-eve të tjera si dhe me vepra të tjera për të cilat qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 516 ha plazh ranor. "Dy herë kemi kërkuar referendum vendor. Për më tepër se tre vjet, gjithçka ka hasur në kundërshtimin e komunitetit. Prandaj kërkojmë, të ndërprisni investimin, pasi ky është një projekt që nuk e ka lejen e komunitetit të Vlorës",- thuhej në memorandum. Shumë herë fjala e Ibros është ndërprerë nën thirrjet "Duam referendum" dhe "Vlora Vlora", nën brohorinë e qindra qytetarëve që i ishin bashkuar sheshit para Pallatit të Sportit Flamurtari. Pjesë e protestës kanë qenë dhe përfaqësues të disa forcave politike në Vlorë si LSI, PSD dhe LDK e re. Albana Hodo, përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim tha "vijmë këtu në emër të një të drejte kushtetuese të mohuar. Kërkojmë të drejtën e votës, të drejtën e referendumit dhe këto nuk do të lodhemi duke i kërkuar me forcë". "Le t'i bashkohemi të gjithë Aleancës, ka qenë një tjetër ftesë e përfaqësuesit të PSD. Ai ka përshtatur dhe shprehje amerikane-Mos prisni çfarë qeveria do të bëjë për Vlorën, por çfarë vlonjatët do të bëjnë për Vlorën". Në protestën paqësore kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të "Mjaft". "Të luftojmë për Vlorën, që ajo të ngelet sic ka qenë gjatë gjithë historisë së saj- u është drejtuar protestuesve përfaqësuesi i lëvizjes "Mjaft". Ju nuk jeni vetëm. Gjithë Shqipëria është me ju ka vijuar përfaqësuesi i "Mjaft", ndërsa mesazhin e dytë e ka pasur për qeverinë. Asnjë qeveri nuk është më e madhe se qytetarët,- vijoi ai. Protestuesit janë shprehur të vendosur në arritjen e referendumit, ndërkohë që aleancistët do të vijojnë me të gjitha përpjekjet të ndalojnë punimet, si dhe ti hapin rrugë votimit të komunitetit për çështjen.