E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi në Kurum, vdes metalurgu tjetër

Pas 5 ditësh në koma cerebrale, mëngjesin e djeshëm ndërroi jetë metalurgu i dëmtuar Veli Jahja
Vëllai: Kishte 35 vite në këtë punë dhe ishte dëmtuar shumë herë. Shteti të ndihmojë familjen
TIRANË- Pas disa ditësh në gjendje koma metalurgu Veli Jahja ka ndërruar jetë në spitalin ushtarak të Tiranës edhe pse përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar kanë qenë maksimale. Si pasojë e komës cerebrale të pësuar, Jahja, viktima e dytë e tragjedisë nga shpërthimi në Kurum, nuk ka pasur asnjë reagim gjatë 5 ditëve. Sipas burimeve nga familja, mëngjesin e djeshëm, zemra e tij ka pushuar së rrahuri.
Familja e metalurgut 54-vjeçar, në Elbasan ka hapur dje dyert për mort. Sipas familjarëve, ai kishte rreth 35 vjet në punë si metalurg dhe gjatë viteve kishte pësuar edhe dëmtime, por këtë radhë, e pagoi me jetë. Sipas vëllait të tij, Veli Jahja ishte dëmtuar edhe herë të tjera, por këtë herë shpërthimi dhe dëmtimi që kishte pësuar nga rrëzimi i kanë kushtuar jetën. Familja edhe pse e dinte gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej 54-vjeçari, kanë shpresuar deri në çastin e fundit në përmirësimin e tij. Por, kanë mësuar të vërtetën e hidhur vetëm në momentin që trupi i tij pa jetë ka mbërritur në shtëpi.
Misiri, vëllai i viktimës së dytë në Kurum, thotë se kjo ishte goditja më e rëndë pas disa aksidenteve të tjera në punë në 35 vjet që Jahja kishte punuar në metalurgjik.
"Këtë herë, goditja ishte fatale dhe vetëm një elektricist aty e kishte nxjerrë, e kishte transportuar për në spital, por ai nuk u përmend më",- thotë mes hidhërimit të thellë ai. Edhe pse në kushte të tilla, nuk harron të falënderojë të gjithë ekipin mjekësor si në Elbasan, ashtu edhe në Tiranë që bënë të pamundurën. "Nuk mund as ta transportonim jashtë, pasi gjendja ishte shumë e rëndë. Gjithçka ndodhi aq shpejt sa
ne nuk kemi mundur as t'i tregojmë nënës së tij",- tregon ai. Për shkaqet, nuk mund të thotë asgjë, pasi e di fare mirë që nuk është specialist dhe nuk pranon të ngatërrohet në këtë drejtim për të dhënë konkluzione. "I mbetet atyre ta vendosin. Kur ke të bësh me makina kështu ndodh. Disa herë vëllai ka mbërritur i dëmtuar dhe i gjakosur por sërish rikthehej në punë. Donte të ushqente familjen dhe dy djemtë e tij",- shton më tej ai. Tashmë, familja e 54-vjeçarit ka mbetur pa mbështetje. Për këtë, Misiri i kërkon shtetit dhe firmës që të ndihmojnë familjen. "Ata kanë nevojë për një pension, pasi Veliu ishte e vetmja ndihmë"- thotë ai.
Familja Jahja jeton në periferi të qytetit të Elbasanit në lagjen "28 Nëntori". Veli Jahja punonte që nga viti 1972 në Uzinën e Shkrirjes së Çelikut dhe kishte mbushur 35 vjet punë. Pas vdekjes së Xhevit Nergjonit, numrit 29 të viktimave nga metalurgjiku i është shtuar edhe një, duke marrë 30 jetë njerëzish vetëm nga aksidentet në punë pa llogaritur efektin vdekjeprurës të ndotjes.
Caktohet masa e sigurisë për dy turqit dhe shqiptarin e "Kurum"-it. Rivlerësim, pas rezultateve
Të arrestuarit e "Kurum", 15 ditë burg
Elbasan- Arrest shtëpie për 15 ditë është masa e dhënë dje nga gjykata e Elbasanit për tre të arrestuarit e shpërthimit në Kurum. Murat Filiz, 33-vjeç; Adem Unlu, 47-vjeç dhe Engjellush Zaimi, 47-vjeç, janë shoqëruar njëri pas tjetrit në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë pasditen e djeshme. Ata akuzohen për neglizhencë dhe mosmarrjen e masave për sigurimin teknik të punëtorëve. Prokuroria ka kërkuar burg me afat për tre të arrestuarit deri në mbërritjen e rezultateve përfundimtare të ekspertëve nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe ekspertë të mjekësisë ligjore. Këta të fundit janë duke punuar për përfundimin e raportit për të përcaktuar shkaqet që sollën shpërthimin e furrës. Adem Unlu, 47 vjeç, është sjellë i pari në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë të drejtuar nga gjyqtari Qani Hasa. Dy prokurorët e çështjes Neritan Hoxha dhe Binas Nina e kanë cilësuar ngjarjen tepër të rëndë dhe akuzat e ngritura duhet të ndiqen nga qëndrimi në burg i tre të pandehurve deri në zhvillimin e gjyqit. Gjithsesi duke mos pasur në dorë një raport përfundimtar nga ekspertët që duhet të vlerësojnë shkakun e shpërthimit që u regjistrua në "Kurum", prokurorët kanë kërkuar burg me afat të paktën 15 ditë. Kërkesa është pranuar nga gjyqtari Hasa, i cili ka vendosur që tre të arrestuarit të qëndrojnë për 15 ditë në arrest shtëpie dhe më pas të bëhet një rivlerësim i situatës pas paraqitjes së provave të reja nga ana e prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›